Debati në parlamentin serb për buxhetin shoqërohet me fyerje të rënda

Në të njëjtën ditë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës debatuan për draft-ligjin e buxhetit të vitit 2015, Kuvendi i Serbisë debatoi për rebalancin e buxhetit, mirëpo, në Beograd fluturuan edhe shumë fyerje e sharje. 

Lajme

22/12/2014 21:09

Duke iu drejtuar deputetëve, kryeministri Aleksandar Vuçiq konstatoi se nuk mund të besojë se si ambasadori i Gjermanisë dhe ai i SHBA-ve, ta zëmë, më shumë e duan Serbinë sesa deputetët, pasi ata diplomatë flasin pozitivisht për masat e Qeverisë.  

Ai akuzoi demokratët (Partia Demokratike e Gjillasit, që më parë drejtohej nga Boris Tadiq) se ia kanë ngrënë 14 vjet vendit dhe se janë qyqarë të zakonshëm, si dhe që nuk kanë pasur kurajën për të zbatuar reformat e vështira, transmeton lajmi.net.

“Ju jeni qyqarë të zakonshëm dhe asgjë më shumë. Të tillë keni qenë dhe keni mbetur”, tha Vuçiqi. Ai iu përkujtoi demokratëve se me 6 për qind të pushtetit do t’i vinte turp të mbajë pushtetin, duke shtuar se kur ai të bie në 26 për qind të votave nuk do të jetë më kryeministër.

Deputeti demokrat Stefanoviq tha pas kësaj se Vuçiqi tregoi dozë të lartë të nervozizmit, tërbimit, primitivizmit dhe fjalorit prej rrugaçi. “Asnjë kryeministër kurrë nuk ka folur kësisoj me deputetët popullorë”, tha ai, për të shtuar më pas se për shkak të fjalorit të tillë kryeministri iu ka borxh kërkim-falje qytetarëve.  

Ish-kryeministri i demokratëve, pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, Zoran Zhivkoviq, pasi kërkoi replikë dhe nuk iu dha nga ana e kryesuesit të seancës parlamentare, Igor Beçiq, ia ktheu kryesuesit me fjalën: “kafshë”.

Pas kësaj kryesuesi kërkoi largimin e Zhivkoviqit nga ana e sigurimit, dhe kësisoj u veprua.

Gjatë kësaj seance pati edhe shumë ndërhyrje nga ulëset e Kuvendit gjatë fjalëve të kryeministrit, kurse për këto atyre iu shqiptuan disa herë vërejtje publike, me paralajmërimin se nëse i përsërisin ato, do të largohen nga seanca.