Miratohet në parim Projekt-buxheti 2015

Me 73 vota për, 22 kundër deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projekt-buxhetin për vitin 2015.

Lajme

22/12/2014 19:23

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit, deputetët e opozitës e kanë kritikuar ashpër projektbuxhetin për vitin 2015, duke e quajtur atë të pashpresë, buxhet të varfërisë dhe i cili nuk siguron rritje të vendeve të punës dhe rritje ekonomike për përmirësimin e jetesës për qytetarët e Kosovës.

Të hyrat e përgjithshme buxhetore në projektbuxhetin për vitin 2015, planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, që është një rritje prej 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa, shpenzimet e përgjithshme do të jenë 1 miliard e 682 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me vitin 2014.

Por në këtë projektbuxhet nuk është përfshirë rritja e pagave prej 25 për qind për sektorin publik, edhe pse ishte premtim i Qeverisë së kaluar dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi në fushatën elektorale.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke folur për projektligjin për buxhetin e vitit 2015, tha se po procedohet shpejt në Kuvend për shkak të shumë arsyeve, por që është buxhet që parasheh një rritje të ekonomisë për vitin e ardhshëm prej jo më shumë 4 për qind.

“Në vitin 2015 me vlerësimet e tanishme, ne presim që ekonomia e vendit të ketë një normë vjetore të rritjes prej mbi 4 për qind. Në këndvështrimin afatmesëm kjo normë e rritjes pritet të jetë edhe më e lartë, si rezultat i reformave substanciale që Qeveria planifikon të ndërmarrë gjatë vitit 2015”, tha Mustafa.

Mustafa tha se përmes këtij buxheti do të bëhet i mundur adresimi i një sërë sfidash në fushën sociale, siç është rasti me kategoritë e dala nga Lufta, Pensionistët, ish të Burgosurit Politik, familjet në asistencë sociale, por ngritjen e pagave prej 25 për qind në sektorit publik nuk e përmendi fare.

“Sa i përket rritjes së pagave në buxhet është përfshirë rritja nga ky vit, kurse rritjet e tjera të mundshme do të shqyrtohen gjatë vitit në harmoni me mundësitë buxhetore. Niveli i përgjithshëm i të dalave buxhetore për vitin 2015 është planifikuar të jetë në vlerë prej 1 miliard e 682 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve të planifikuara për vitin 2014”, tha kryeministri Mustafa.