Jahjaga – Qeverisë: Rrisni mirëqenien që fëmijët mos të kërkojnë bukën në kontejnerë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të vendit që të punojnë për të ndryshuar për të mirë jetën e qytetarëve të vendit. 

Lajme

22/12/2014 15:58

Jahjaga në intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Qeveria duhet të rris mirëqenën e qytetarëve të vendit, që fëmijët të mos bëhen pre e qenve endacakë dhe të mos e kërkojnë copa buke nëpër kontejnerë. 

Ajo ka thënë se institucionet e reja, duhet të kompensojnë gjithë kohën e humbur dhe të provojnë të rikthejnë besimin tek qytetarët. 

“Dua të besoj se institucionet e Kosovës do të punojnë më shumë në fushat që do të sigurojnë mirëqenien e qytetarëve, duke parandaluar skenat e ikjes ilegale të qytetarëve, në kërkim të një të ardhmeje ndryshe”. 

“Pra dua të besoj në zhvillimin ekonomik, që siguron edhe hapjen e vendeve të reja të punës, që garanton hapjen e perspektivës për secilin të ri, në cilëndo pjesë të Kosovës. Dua të besoj në garantimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, kudo në vend. Pra dua të besoj se ka ardhur koha që të punojmë për të ardhmen e secilit njeri të Kosovës duke i mundësuar atij që ta dojë dhe respektojë vendin e tij, për të cilin shumë njerëz kanë sakrifikuar”. 

Duke folur për kohën e ngërçit politik, presidentja ka thënë se, e ka paralajmëruar me kohë gjithë spektrin politik në vend se me zgjatjen e mospajtimeve ndërmjet vete, po e fusim vendin në krizën më të madhe edhe politike edhe financiare.

“Periudha prej gjashtë muajsh ka thelluar krizën e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të tyre dhe ka rënduar jetën e tyre. Ne kemi rrezikuar rënien e thellë ekonomike për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve të vendit dhe mbi të gjitha kemi ndaluar investimet aq të rëndësishme për vendin. Ne po hynim në krizën financiare dhe buxhetore, që do të lënte pasoja të thella për shoqërinë. Periudha e mosmarrëveshjeve ndërmjet forcave politike në vend ka rrezikuar sundimin e ligjit dhe të rendit por ajo që është më e dhimbshmja e kemi vënë qytetarin përpara një dileme të madhe nëse mund ta bënim shtetin e Kosovës”, ka thënë presidentja. 

Ndërsa për rolin e saj në zgjidhjen e kësaj krize, ajo ka thënë se ka luajtur rolin e vet kushtetues të faktorit të unitetit të popullit.

“Kam garantuar stabilitet edhe politik edhe në aspektin e sigurisë në vend, në kohën kur liderët politikë kanë treguar pak gatishmëri për të gjetur rrugën e ndërtimit të institucioneve”. 

“Kam ruajtur pa-anësinë në raport me secilën forcë politike, duke e garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe duke siguruar se vendi nuk po rrëshqet drejt një krize të re, që do të rriste pakënaqësinë e qytetarëve.Parimet që u janë prezantuar, në secilin takim, liderëve të partive politike, janë parime kushtetuese, ligjore dhe shoqërore të Kosovës, por edhe obligime ndërkombëtare, dhe nuk ju janë imponuar askujt, sepse për to kanë qenë të vetëdijshëm që të gjithë aktorët kryesorë”. 

“Roli im është rol kushtetues dhe ligjor, që kërkon paanësi në raport me forcat politike dhe marrëveshjet ndërmjet tyre, por që garanton funksionimin e shtetit dhe raportet e tij ndërkombëtare”, ka thënë ajo ndër të tjera.