Limaj: Kosova rrezikohet nga kabineti më i madh qeveritar në Europë

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, është shprehur i pa shpresë për buxhetin e ri të vitit 2015 se do të ndërrojë gjendjen në vend.

Lajme

22/12/2014 15:18

Limaj ka thënë se ky buxhet nuk siguron asnjë hapësirë buxhetore që nesër Kosova të ketë hapje të vendeve të reja të punës.

Ai thotë se Kosova pas formimit të qeverisë rrezikun më të madh e ka nga kabineti më i madh në Europë, konkretisht nga numri i madh i zëvendësminitrave që mund të ketë.

“Asnjë gjë të re nuk do të ketë as nuk do të fillojë në Kosovë sipas këtij buxheti, asnjë projekt”.

“Çdo që ka ndodhur këto dy-tri vite, si kaosi, papunësia, e tjera do të ndodhin edhe këtë vjet”.

Sipas Limajt, ministri i financave, Abdullah Hoti, me fjalimin e tij të sotshëm në shpalosjen e buxhetit 2015 ka mbrojtur ‘punim shkencor të huaj’, pra, të shkruar nga dikush tjetër.

“Kjo çfarë ka ndodhur sot është joprofesionale dhe aspak shpresëdhënëse. Dhe, unë habitem se si ata njerëz udhëheqin dikasteret me projektet e përgatitura, që këta dikur kanë qenë kritikuesit e këtyre politikave”.

 “Mos i rritni numrat e zëvendësministrave. Ne nuk do të lëmë asnjë gjë pa u penguar në këtë punë, sepse s’keni të drejtë. Nuk keni të drejtë me gabu me 50 zëvendësministra. Mos harroni dhjetë mijë euro sot kushton një vend pune”, mbaroi Limaj me kërkesën e tij në fund.