Ministri Hyseni: S’kam thënë se ne do t’i dënojmë emigrantët ilegal
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka mohuar se si ka thënë, që qeveria e Kosovës, do t’i dënojë me nga 7 mijë e 500 euro ata që kapen duke tentuar emigrimin ilegal për në vendet e BE-së.

Lajme
Ministri Hyseni është kritikuar ashpër nga opozita dhe shoqëria civile rreth një njoftimi se të gjithë ata qytetarë të Kosovës që kapen duke tentuar të emigrojnë ilegalisht, do të mund të gjobiten me shuma prej 100 deri në 7500 euro.
Por, ai sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës, e ka sqaruar këtë, duke kërkuar nga opozita që mos të tentojnë të përfitojnë politikisht nga hallexhinjtë, siq janë ata që po ikin nga vendi për të gjetur jetë më të mirë në ndonjërin nga vendet e BE-së.
Hyseni ka bërë të ditur se njoftimi për gjobën deri në 7500 euro për emigrantët e Kosovës, është bërë nga ambasadori austriak, dhe ai ka të bëjë me vendet anëtare të BE-së e jo me Kosovën. Ai ka shpjeguar se, emigrantët nga Kosova me këtë gjobë mund të ngarkohen nga vendet anëtare të BE-së, për t’i paguar shpenzimet e kthimit të tyre në Kosovë, e asesi nga autoritetet e Kosovës. (lajmi.net)