Putini shndërrohet nga udhëheqës i madh në një horr paranojak
Deri para pak ditësh, Vladimir Putin, për shkak të arrogancës që s'po gjente një përgjigje "adekuate" prej Obama-s, shihej tek-tuk në SHBA si një udhëheqës i madh që dinte se ç'bënte dhe që dinte të mbronte interesat e vendit të vet. Nuk ka kaluar shumë kohë, dhe opinioni për të ka ndryshuar.

Bota
Shumë figura të rëndësishme të skenës politike dhe mediale në SHBA kishin filluar të kërkonin për vendin e tyre, një lider si ai i Rusisë.
“Putin është udhëheqësi që i duhet një vendi”, është shprehur Rudy Giuliani, ish kryetar i bashkisë së New Yorkut.
“Putin është ai që mund arinjtë dhe që gjen naftën në tokë, ndërsa ky i yni, Obama, nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të veshë jeans-e femrash, të mendohet një mijë herë para se të vendosë e të mbajë fjalime”, ia bënte Sarah Palin.
Ndërsa Mike Rogers, kreu i komisionit parlamentar mbi shërbimet sekrete, ka qenë i idesë se Putini është duke luajtur shah, ndërsa Obama është duke luajtur me cingla (në fakt, shprehja e tij është: playing marbles). E kështu me radhë.
Afërmendsh, kanë qenë të pakënaqur prej faktit që Obama është mjaftuar me sanksione ekonomike në ballafaqimin me Rusinë e Putinit.
Tani gjërat kanë ndryshuar. Ndryshimi i çmimit të naftës e të gazit në tregun global, sanksionet e imponuara prej perëndimit, e një numër faktorësh të tjerë, kanë bërë që ekonomia ruse të dobësohet.
Dhe Putini tani shihet ndryshe. Analisti i New York Times-it Thomas L. Friedman e quante dje një “horr paranojak”, është në vështirësi.
Tok me të, janë në vështirësi edhe amerikanët që një copë herë besuan se ai ish një dhuratë e providencës për Rusinë.