Do të ketë probleme, nëse vonohet zgjedhja e anëtarëve të rinj të KGjK-së

Janë bërë gati 5 muaj kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës është mbledhur për herë të fundit. Që nga ajo kohë, shumë punë kanë mbetur pa u kryer, në mungesë të kuorumit në këtë institucion.

Lajme

21/12/2014 19:11

Anëtarët, të cilët zgjedhën nga Kuvendi i Kosovës, kanë bllokuar punën e KGJK-së. Sipas kryesuesit të KGJK-së, përzgjedhja e shumicës së anëtarëve nga Kuvendi në fakt është vetë problemi, për shkak se indirekt politika ndikon tek gjyqësori, raporton KTV.

BE-ja kishte dhënë vërejtje rreth kësaj forme të zgjedhjes, rekomandim të cilin Ministria e Drejtësisë e kishte dërguar në Kuvend, por deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kishin votuar.

E nominuara për kryetare të Komisionit për Legjislacion, thotë se kur të funksionalizohet Komisioni, zgjedhja e anëtarëve të KGJK-së do të jetë prioritet dhe do të provohet të ruhet pavarësia e tyre.

Pas rishikimit të mandatit të EULEX-it, gjyqtarët ndërkombëtarë do të kalojnë përmes KGJK-së, çka është bërë e pamundur.

“EULEX-i inkurajon Kuvendin e Kosovës të zgjedh në mundësinë e parë anëtarët e rinj, me të cilët do të bashkëpunojmë. Është në interesin e të gjithëve që KGJK-ja të jetë në gjendje të funksionojë me kapacitet të plotë”, ka thënë një zëdhënëse e EULEX-it, raporton KTV.