Dhurata për festat e fundvitit familjes së heroit Enver Zymberi
Me disa dhurata për festën e ndërrimit të moteve, kompania ETC në Vushtrri ka vizituar sot fëmijët e të ndjerit Enver Zymberi.

Lajme
Ata u pritën nga gruaja e policit të ndjerë dhe fëmijët, për të cilët në shenjë respekti për kontributin e dhënë nga Enver Zymberi, u zbukurua një bredhë dhe disa kuti me dhurata.
Falënderim për kompaninë ETC, shprehu gruaja e Enverit, Drita Zymberi.
“Së pari falënderohem që kanë ardhë me na vizituar dhe na kanë sjellë edhe dhurata për fundvititn, iu falënderohem shumë“, ka thënë ajo.
E Nehat Beiqiri, menaxher i ETC Vushtrri, tregoi se arsye për këtë vizitë është kontributi i Enver Zymberit për shtetin e Kosovës.
“Arsyeja pse kemi zgjedhë familjen Zymberi, është për hirë të kontributit që ka dhënë ai për vendin e Kosovës Enver Zymberi. Në një farë forme që të ua lehtësojmë këtë fundvit, festat t’i festojnë fëmijët në mënyrën sa më të mirë të mundshme, të jenë pjesë e festave së bashku me fëmijët e tjerë që të mos ndjejnë mungesën e asgjëje:, ka thënë ai.
Ai tha se kompania ELKOS çdo herë është gati të iu ndihmojë familjeve të ndryshme me nevojë,pa hezituar asnjëherë.
Enver Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale te Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002. Ai u vra me 26 korrik në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në të cilën kontrabanta kishte shtrirë rrënjët që nga paslufta.
Heroi i Kosovës u vra me urdhër të strukturave paralele ekstremiste serbe.
Për ata që organizuan sulme ndaj forcave të ROSU, edhe Interpoli ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar. (Kosovapress)