Reichel largohet pa e thënë asnjë fjalë

E plotësuar: I dërguari special i kancelares Anglela Merkel për Europën Juglindore, ish ambasadorin gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, është larguar nga takimi me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, pa e thënë asnjë fjalë për media.

Lajme

14/11/2014 12:04

Rreth këtij takimi të Mustafës me ambasadorin Reichel, i cili synon të arrijë një marrëveshje të pranueshme për nxjerrjen e Kosovës nga kriza që e ka kapluar prej gjashtë muajsh, nuk janë prononcuar as zyrtarët e LDK-së. 

—————————————–

Mustafa me Reichel, Thaçi te Jahjaga 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i PDK-së, ndodhet në Presidencë, ku po zhvillon takimin e radhës në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare.

Ky është takimi i parë që prej heqjes dorë të Bllokut paszgjedhor nga posti i kryeparlamentarit, ndërkohë që lideri i LDK-së, Isa Mustafa, sipas burimeve të KosovaPress është duke zhvilluar një takim me të dërguarin special i kancelares Anglela Merkel për Europën Juglindore, ish ambasadorin gjerman në Kosovë, Ernst Reichel.

Në asnjërin nga këto takime nuk janë ftuar mediat, por temë diskutimi besohet të jetë përpjekja për të arritur një marrëveshje mes partive politike që do të conte në thirrjen e seancës dhe konstituimin e institucioneve të vendit.

Kriza politike që ka kapluar Kosovën prej ditës së zgjedhjeve parlamentare, 8 qershor, vlerësohet si kriza më e rëndë politike që nga shpallja e pavarësisë më 2008, ndërsa zvarritja e gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme po e fut vendin gjithnjë e me më thellë drejt një të ardhmeje të pasigurt.