Për politikën, ndjenjat dhe iluzionet

Mund të kemi ne ndjenja me bollëk, por politika mbi të gjitha trajton gjendjen e stomakut, statusin e kuletës, sigurinë e secilit shtetas, shëndetin e çdo qytetari dhe disa gjëra tjera të ngjashme.

Lajme

13/11/2014 10:44

Si në përrallat e moçme, duket që të gjithë janë të kënaqur. Të gjithë kanë fituar. Të gjithë kanë marrë çfarë kanë dashtë. Diçka e tillë nuk është e mundur më as në Hollywood. Por në Ballkan, po.

Fjala është për vizitën historike të Kryeministrit Edi Rama në Beograd, të ndodhur të hënën, me 10 nëntor, e cila bëri që gjeografia shqiptare të bashkohet në reagimet politike dhe qytetare, në mbështetje të qëndrimeve të shprehura prej tij, në prani të Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe para mediave të shumta serbe dhe ndërkombëtare në Pallatin ‘Serbia’.

Me një zë, me shumë emocione, prej shumë adresave që i kemi si shqiptarë në Ballkan, pohuam që Rama bëri punë të madhe midis Beogradit, duke ua thënë politikanëve serbë se çka është Kosova  (shtet) dhe çka duhet të bëjë Serbia  (ta njoh Kosovën).

E tëra na bëri, të ndjehemi shqiptarë. Në Facebook dhe gjithandej. Është interesant që ne, më së shumti ndjehemi shqiptarë, dhe themi që jemi shqiptarë, kur të përplasemi me Serbinë, qoftë në sport, në politikë, apo kudoqoftë. Rëndom, kur të kalon e tëra, i kthehemi asaj ndjenjës së zakonshme: Ndjehemi kurrqyshë. Në vete dhe me të tjerët.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, fitoi poashtu. Ai ia ktheu menjëherë Ramës, aty për aty, duke cituar Kushtetutën e Serbisë, dhe duke folur me emocione për provokimin e radhës të shqiptarëve, pas atij me dronin një muaj më parë. Në këtë mënyrë, ai para opinionit serbë tregoi, së paku për pak çaste, se është ai ‘uku i moçëm’, apo që nuk e ka ndërmend ta këmbejë lirë ‘valutën’ politike të nacionalizmit me ‘Euro-politikën’ që e pret, sa më shumë që të afrohet kah stacioni final i integrimeve evropiane.

Brukseli, apo autoritetet më të larta të BE-së, si shumë hera të tjera, i qaset Ballkanit si një ‘Tavoline suedeze’: Merr atë që i pëlqen. Për te, me rëndësi është që Vuçiq dhe Rama janë parë në Beograd, që kanë folur kokë më kokë, e çfarë kanë thënë para mediave, kjo nuk ka fare rëndësi. Tek e mbrama, këto prononcime, sipas logjikës mbizotëruese në Bruksel, nuk duhet marrë seriozisht. Kur Evropës së madhe, në Ukrainë po i troket në derë një përplasje e llojit të ‘Luftës së Ftohtë’ me Rusinë, çfarë kanë thënë Rama dhe Vuçiq në Beograd, njëmend nuk del që ka fare peshë.

Por puna e peshës politike dhe e seriozitetit politik, merret krejtësisht ndryshe në këto anë, ndër shqiptarët e Kosovës, pak më pak te shqiptarët e Shqipërisë dhe më së shumti tek shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kryeministri i Shqipërisë tha fjalë të mëdha, dha, besa, zotime edhe më të mëdha, ndërsa politika e këtij lloji, e nivelit kombëtarë dhe ndërkombëtarë nuk matet dot me kutin e fushatës parazgjedhore, sepse kjo garë nuk fitohet dhe humbet dot me vota, por shumë më ndryshe.

Të gjithëve na kujtohet ajo porosia nam-madhe e Winston Churchillit, për Ballkanin që prodhon më shumë histori se sa që mund të konsumojë. Teprica e kësaj historie, siç dihet, që prej vitit 1914 e këndej, është konsumuar prej Perëndimit. Kështu ishte edhe në luftën e fundit që nisi me 1991, në zhbërje të ish-Jugosllavisë.

Duket që mund të motërzohet kjo fjali e burrështetasit të madh anglez. Tani mund të thuhet që politikanët shqiptarë, duke u nisë prej vetë Kryeministrit Rama, po prodhojnë më shumë politikë, se sa që mund ta kontrollojnë. Thënë edhe më ndryshe, ky tregu politik i Kosovës dhe i Shqipërisë, ka me bollëk ‘mallra’ apo politikë të këtij lloji çfarë po na servohet me të madhe javëve dhe muajve të fundit. Teprica e mallit nuk e rritë vlerën e tij, apo jo. Këtë e dinë edhe ekonomistët fillestarë. Përkundrazi. Atëherë ndodhë zhvlerësimi i tij.

Mund të kemi ne ndjenja sa të duash, por puna e politikës, mbi të gjitha, trajton gjendjen e stomakut, statusin e kuletës, sigurinë e secilit shtetas, shëndetin e çdo qytetari, dhe disa gjëra tjera të ngjashme.

Mund të thuhet poshtu që politikanët shqiptarë në përgjithësi, po ofrojnë më shumë iluzione se sa që duhet, në përballjen e domosdoshme me realitetin. Nuk jetohet dot pa iluzione, pa ëndrra, pa imagjinatë. Kjo dihet qëmoti. Ama poashtu nuk jetohet prej tyre. Veçmas jo në politikë.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)