Mustafa s’është më kryetar legjitim i LDK-së
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e konsideron si jetike për të ardhmen e vendit ruajtjen e partneritetit me miqtë ndërkombëtarë, ndërsa thotë se LDK nga paniku që kaploi pas humbjes së 8 qershorit, u ngut të bëjë marrëveshjen me AAK-në dhe Nismën.
Lajme
Si njëri nga politikanët që ka qenë akter në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit, ai tërheq vërejtjen se Kosova nuk guxon të mbetet peng i ambicieve dhe tekave të askujt.
Pa i amnistuar as partitë e tjera nga përgjegjësia që kanë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike, ai theksin e vë tek LDK-ja, pasi vet është pjesë e kësaj partie.
Në një intervistë për gazetën Tribuna, Sejdiu në cilësinë edhe të Kryetarit të Nderit të LDK-së, e thotë më hapur se kurrë se udhëheqja e LDK-së është gjetur në panik pas humbjes së zgjedhjeve më 8 qershor dhe duke provuar t’i ikë përgjegjësisë për humbjen, u ngut që ta bëjë marrëveshjen me AAK-në dhe Nismën.
Me këtë veprim, LDK, sipas tij, e humbi egon dhe zërin që e kishte krijuar për 25 vjet me punë dhe sakrificë të anëtarëve të saj.
“Dhe çfarë ndodhi? Në emër të LDK-së, në këta pesë muaj, folën kush si mundi dhe deshi, madje për të folën dhe zyrtarë të partive të tjera, anonimë që ndërruan role sipas ditës?!”, thotë Sejdiu, pikërisht në ditën kur udhëheqja aktuale e partisë i ka mbushur katër vjet mandat, me ç’rast siç thotë ai, ka pushuar edhe mandati legjitim i kësaj strukture.
Në intervistë, Sejdiu tregon se çka do t’i rekomandonte Mustafës të bënte para marrëveshjes LAN, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe tash.
Ai flet edhe për raportet me personalitetet e jashtme politike, sikundër flet edhe për gatishmërinë për ta drejtuar LDK-në, në rast se kjo i kërkohet nga anëtarësi