Makineria e Fabrikës së Tubave po çmontohet dhe shitet në Maqedoni
Makineria e Fabrikës së Tubave në Ferizaj ka filluar të çmontohet dhe të shitet në Maqedoni.
Lajme
Ky informacion që ka filluar të qarkullojë ditëve të fundit nëpër Ferizaj, si duket po del të jetë i vërtetë ngase një informacion të tillë e kanë konfirmuar të dielën edhe drejtues të Sindikatës së kësaj fabrike, të cilët njëherësh edhe e kanë kundërshtuar këtë veprim të menaxhmentit drejtues.
Kryetari i kësaj sindikate, Ali Azemi e ka konfirmuar këtë lajm për Kosovapress, duke thënë se në bazës të informacioneve që ka kjo sindikatë, pjesa më e madhe e makinave të repartit të ri tashmë është duke u çmontuar dhe është duke u bartur për në Maqedoni.
Azemi ka thënë se këtë veprim të menaxhmetit e kanë konfirmuar edhe punëtorë që janë ende në marrëdhënie pune aty.
“Në bazë të informatave që ne i kemi, e që kanë ardhur nga punëtorët që punojnë aty, është e vërtetë se komplet makineria e repartit të ri të fabrikës është duke u çmontuar dhe është duke u bartur për në Maqedoni. Kemi informacion se menaxhmenti ka angazhuar rreth 20 maune që po e kryejnë transportin, edhe atë gjatë natës”, ka thënë Azemi.
Sindikata ka paralajmëruar që gjatë ditëve në vijim të protestojë publikisht për këtë veprim të menaxhmentit të fabrikës, i cili, sipas drejtuesve të sindikatës, nuk e ka të drejtën ta bëjë këtë ngase fabrika më parë duhet të shkojë në falimentim e vetëm më pastaj të nisin procedurat e shitjes.
“Kjo është në kundërshtim të plotë me rregullat. Fabrika është privatizuar me spin-off special dhe nuk ka kaluar nëpër një proces të falimentimit dhe në këto rrethana nuk guxon që asnjë makinë e saj të shitet” ka shtuar Azemi.
Të kontaktuar nga Kosovapressi, edhe disa punëtorë të kësaj fabrike në kushte anonimiteti kanë lënë të kuptojnë se diçka është duke ndodhur me makinerinë e repartit të ri. Ata janë shprehur se kjo nuk është diçka e re dhe i tërë opinioni ferizajas di për këtë veprim të menaxhmentit.
Aktualisht, në këtë fabrikë, e cila dikur ka qenë gjigant jo vetëm i Ferizajt por edhe i Kosovës dhe rajonit, janë të punësuar më pak se 100 punëtorë.