Kapen 39 kosovarë duke hyrë ilegalisht në Gjermani

Burra, gra e fëmijë ishin vendosur në hapësirën e ngushtë të një mikrobusi Mercedes Sprinter

Lajme

09/11/2014 14:07

Të shtunën, policia doganore e Gjermanisë, me rastin e kontrollimit të një mikrobusi në një vend-parkim në autostradën A 3, afër Hengersberg-ut, ka hasur në një rast të rëndë të futjes ilegale të të huajve në Gjermani.

39 persona, të gjithë nga Kosova: burra, gra e fëmijë ishin vendosur në hapësirën e ngushtë të mikrobusit Mercedes Sprinter. Të gjithë ata: 14 burra, 9 gra dhe 16 të mitur të moshës 3-15 vjeçare, ishin pa dokumente valide. Dy kontrabanduesit, njëri gjerman (33) dhe tjetri bullgar (45) janë arrestuar dhe ndaj tyre kanë filluar hetimet.

Si njofton Albinfo.ch, të 39 klandestinët janë strehuar në një qendër hetimesh në Hengensberg, ku është bërë përpunimi i të dhënave të tyre dhe janë vënë nën përkujdesje të autoriteteve policore, raporton wochenblatt.de. Pas kësaj faze, ata, me një autobus pritet të dërgohen në Qendrën e Pranimit të Azilkërkuesve në Munih.

Dy trafikantët, me kërkesën e prokurorisë i janë dorëzuar gjykatës në Deggendorf, e cila do të vendosë mbi masat ndëshkuese që do t`iu shqiptohen.