Djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, në 2 raste vrasjeje në 3 vite
Kostandin Xhuvani, djali i deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, përfshihet për herë të dytë në një ngjarje, me pasojë vdekjeje.

Lajme
Xhuvani 26-vjeçar, i cili u arrestua si njëri nga të dyshuarit në vrasjen e mbrëmshme ku u vranë katër persona në një lokal nate në Tiranë, është dënuar më parë me dy vjet burg me akuzën e vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Kostandin Xhuvani kishte pranuar përpara Gjykatës të kishte kryer krimin e vrasjes për vetmbrojtje në 12 shkurt të vitit 2011, për të cilën mori dënim me 24 muaj burgim.
Ai vrau gjatë një grindje e sipër bashkëmoshatarin e tij, Alfred Musabelliu në një banesë në Qytetin Studenti. Shoku i tij, i cili ishte ditën e kryerjes së vrasjes bashkë me të u arrestua dhe u dënua për moskallëzim të krimit.
Në gjykatë Xhuvani shprehu pendesë, por deklaroi se e kreu krimin për të shpëtuar jetën e shokut të tij. Një konflikt me armë zjarri i ndodhur në një lokal nate ka sjellë vdekjen e katër personave.
Ndërsa mbrëmë rreth orës 4:00 para mëngjesit, tre të rinj shqiptarë dhe një shtetas italian mbetën të vrarë me armë zjarri, ndërkohë që dy të tjerë janë plagosur.
Sipas policisë, të shtënat me armë kanë ndodhur në lokalin me emrin “Ante Grand”, i ndodhur në Rrugën e Elbasanit në Tiranë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur pas një sherri banal në lokalin e natës që ndodhet përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Sherri ka nisur brenda lokalit, ndërsa konflikti me armë ka ndodhur jashtë ambienteve të tij.
Viktimat janë gjetur pranë lokalit të natës, ndërsa një tjetër është gjetur në një automjet. Njëri prej të rinjve që është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, është Arbër Demiraj 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj. Ndërkohë, dy të rinjtë e tjerë janë Edison Jaho 36 vjeç, lindur në Berat, banues në Tiranë dhe Enea Xhaji 38 vjeç, lindur në Berat, banues në Tiranë.
Një tjetër viktimë është identifikuar si shtetas italian, Paolo Azzolo, 60 vjeç. Mjekët kanë konfirmuar se italiani ka marrë tre plumba në kraharorin e majtë, shumë pranë zemrës.
Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë kapja në kohë e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Shtetasit e arrestuar janë Konstandin Xhuvani, 26 vjeç, djali i deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç, ndërkohë që janë shoqëruar shtetas të tjerë prezent në ngjarje.