Rugovasit i duan tokat e tyre
Pothuajse të gjitha shtëpitë në bjeshkët e Rugovës janë të zbrazëta. Aty ka vetëm shtëpiza për vizitorë që shkojnë të marrin ajër të pastër në këto bjeshkë. Në këto anë mbajtja e deleve dhe kultivimi i bagëtive është mënyra më e zakonshme e jetës. Rugova është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe edhe si “Alpet Shqiptare”.
Lajme
Ky vend në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Kosovës. I gjithë regjioni është i rrethuar nga maja të larta të maleve. I pasur me lumenj dhe livadhe të djegura nga dielli, Rugova është një nga vendet më piktoreske të regjionit. Era e tetorit sjell freskinë fushave. Delet me kokë në barin e gjatë, hingëllimat e kuajve, breshkat duke marrë rreze mbi gurë, janë meloditë më karakteristike të kësaj ane, shkruan Tribuna.
Malë Haxhija është njëri ndër banorët e paktë të kësaj ane. Ai është 85 vjeç. Haxhija tregon për historinë e këtij vendi. “Në të gjithë Rugovën janë rreth 20 shtëpi me banorë të përhershëm”, thotë plaku nga Rugova. Sipas tij shumica kanë migruar për në vendet perëndimore. Familja e Mal Haxhijat është pesëmbëdhjetë anëtarësh. I vetmi burim i ekzistencës për këtë familje janë bagëtitë e shumta që ai mbanë.
Po, brenga kryesore e banorëve të bjeshkëve të Rugovës është mosdefinimi i tokave mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Për Malë Haxhija demarkacioni ka dështuar. Ai thotë se atij i kanë mbetur rreth 40 hektarë tokë në matanë kufirit, në Mal të Zi, pasi sipas tij, Mali i Zi ka hyrë 7 kilometra në terrorin e Kosovës, si pasojë e demarkacionit.
“Ka hyrë në Kosovë rreth 7 kilometra. Përpara ne kemi pas tokë për Vraqjevë, te ‘Kulla e Mbretit’. Unë i kam 40 hektarë që më kanë metë jashtë kufirit”.
Haxhija pretendon se pas Luftës së Dytë Botërore, u është thënë se toka që tashmë u ka mbetur në kufijtë aktual të Malit të Zi nuk u takon më atyre.
“Deti në Luftën e Dytë gjithmonë ka qenë e jona, prej Luftës së Dytë po thonë që jo. Tapitë të gjitha na janë djegë në luftën e fundit. Por serbët më 1932 kanë filluar të hyjnë në territorin tonë”, thotë ai.
E dy komisionet për përcaktimin e vijës kufitare kanë pasur takime. Dy komisionet e shteteve përkatëse, takimin e fundit e kanë pasur në vjeshtën e viti të kaluar.
Përfaqësuesi i Komunës së Pejës në këtë komision, Ali Lajçi ka thënë se nuk do të ketë asnjë marrëveshje të demarkacionit në mes të brezit kufitar përgjatë Pejës dhe Malit të Zi.
“S’ka dhe nuk mund të ketë asnjë marrëveshje për demarkacionin e kufirit në brezin kufitar përgjatë territorit të Pejës me Malin e Zi”.
Sipas tij, ky refuzim vjen si pasojë e planit të njëanshëm të Malit të Zi. Ai thotë se nuk do të pranojnë asnjë version për vijën kufitare pa pëlqimin e banorëve.
“Takimet e deritashme janë të pavlefshme dhe kurrë nuk do të pranohet asnjë version pa pajtimin e banorëve”, ka thënë Lajçi, shkruan sot Tribuna.