OEAK: Kosova larg shteteve të rajonit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) thotë se funksionimi i duhur i institucioneve është i një rëndësie të madhe për vazhdimin e reformave në mjedisin e të bërit biznes dhe fuqizimin e sektorit privat në vend, për këtë ata thonë se formimi i institucioneve duhet të ndodhë sa më shpejtë.

Lajme

03/09/2014 16:24

Duke pasur parasysh vonesat në funksionalizimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) thekson rëndësinë e tejkalimit sa më të shpejtë të situatës momentale politike, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të proceseve që mundësojnë rritje më të shpejtë ekonomike.

Sipas tyre, situata e tillë pamundëson adresimin dhe zgjidhjen në mënyrë formale të problemeve me të cilat përballet sektori privat në Kosovë, ashtu që të mund të përmirësojë pozitën e tij konkurruese kundrejt sektorëve konkurrentë në rajon.

“Komuniteti i biznesit rikujton se në Kosovë ka shumë punë për t’u bërë për të zënë hapin me shtetet e rajonit, të cilat në të gjitha aspektet janë në fazë më të avancuar të zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euro-atlantike”.

“Oda Amerikane është e shqetësuar me shifrat e publikuara së fundmi për rënien e mëtejme të investimeve të huaja direkte në një kohë kur të gjitha vendet e rajonit janë duke bërë përpjekje agresive për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja, përmes ofrimit të stimujve të ndryshëm”, shkruan në komunikatën e lëshuar për media nga OEAK.

Siç thonë ata, mosrealizimi i projekteve kapitale është duke shkaktuar probleme të mëdha në rrjedhën e parasë së gatshme tek bizneset, sidomos kur merret parasysh rëndësia që projektet publike kanë për pjesën më të madhe të bizneseve në vend.

“Projektet investive që është pritur të sjellin efekte pozitive në ekonomi kanë mbetur peng i situatës politike, duke krijuar kështu një pasiguri të lartë në mesin e investitorëve të huaj, por edhe investitorëve vendor”.

“Në një kohë kur Kosova do të duhej të rriste përpjekjet për përmirësimin e mëtejmë të ambientit afarist me qëllim të nxitjes së investimeve, vonesat në krijimin e institucioneve do të prodhojnë rezultate shumë negative jo vetëm në këtë vit, por edhe në vitet e ardhshme, si në vështirësimin e mjedisit afarist ashtu edhe në rëndimin e mëtejmë të papunësisë dhe varfërisë në vend”

“Duke ritheksuar ndikimet negative të situatës së tanishme në zhvillimin e sektorit privat, Oda Amerikane fton të gjitha partitë politike, që përtej interesave të tyre, të angazhohen me më shumë vullnet dhe seriozitet në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për krijimin më të shpejtë të institucioneve dhe jetësimin e projekteve të tyre zhvillimore”, ka shtuar kjo komunikatë në fund.