Qërimi i hesapeve mes bandave në veri, nuk është konflikt ndëretnik
Vetëm disa ditë para mbajtjes së seancës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, krerët e komunave veriore të Kosovës janë vënë në aksion për t’i paraqitur krimet ordinere ndërmjet bandave kriminale serbe si incidente ndëretnike.

Lajme
Ishte pikërisht kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ai i cili i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë përpjekje maksimale në trajtimin e çështjeve të sigurisë dhe të sigurojë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Ai në këtë mesazh iu referua dy incidenteve të fundit në veri, me ç’rast u dëgjuan dy vetura dhe u gjet një granatë dore e pashpërthyer.
“Është e vështirë të besohet se ky nuk është një varg incidentesh të planifikuara për të shkaktuar çrregullim dhe panik në mesin e popullatës serbe në veri të Mitrovicës dhe Veri të Kosovës”, kishte shkruar Rakiq.
Por, Policia e Kosovës e mohon se këto incidente kanë të bëjnë me problemet ndëretnike. Zëvendës/komandanti i policisë për veri, Besim Hoti përmes telefonit i ka thënë KTV-së se incidentet të cilat Rakiq mundohet t’i nxjerrë si probleme ndëretnike, janë incidente tipike kriminale që nuk kanë ndikuar aspak në sigurinë e përgjithshme.
Se këto incidente nuk kanë të bëjnë fare me probleme ndëretnike e thonë edhe zyrtarë në jug të Mitrovicës. Zëdhënësi i kësaj komune, Hysni Syla tha se incidentet janë qërim hesapesh mes bandave serbe.
Ekspertët e sigurisë në vend thonë se serbët me anë të këtyre veprimeve dhe miqve që kanë në OKB, synojnë të arrijnë qëllimet e veta.
Megjithatë, sipas Nuredin Ibishit, vendi ynë duhet të ketë kujdes pasi që këto veprime të serbëve po bëhen në kohën kur Kosova ka vakum institucional dhe kjo mund të jetë e rrezikshme.