ISIS masakron 700 persona

Masakrat që po kryejnë terroristët e Shtetit Islamik po tronditin botën. Vetëm në dy javët e fundit në veri të Sirisë, viktima të këtij grupi kanë rënë 700 persona.

Bota

17/08/2014 19:11

Masakra ka ndodhur në qytetin Marea në veri të Sirisë, një prej bastioneve të opozitës anti-Asad. Ndër të vrarët janë shumë trupa të Ushtrisë së Lirë Siriane, krahu ushtarak i opozitës që lufton njëkohësisht në dy fronte, edhe kundër forcave të Asad edhe kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Por shumica e viktimave janë civilë pjesëtarë të tribusë al-Sheitat, që popullojnë provincën Deir al-Zor.

Teksa militantët suni po përparojnë me shpejtësi në veri të Sirisë, drejt kufirit turk, banorët e Mareas nuk pranuan të bëhen pjesë e kalifatit islamik, që është shtrirë edhe në veri të Irakut.

Ky kundërshtim bëri që ndaj tyre, xhihadistët të shpërthejnë në masakra çnjerëzore.

Marea, së bashku me Azazin, një tjetër qytet më në veri të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë, i gjendur ditët e fundit nën sulmin e artilerisë të militantëve të Shtetit islamik, konsiderohen si pika kyçe të frontit opozitar anti-Asad, që përkrahen nga perëndimi.

Përmes këtyre qyteteve, vijnë furnizime nga Turqia, në mbështetje të opozitës siriane. Marrja e këtyre pikave strategjike nga xhihadistët është një fitore e madhe dhe i hap rrugën kontrollit të pikave kufitare siriane, në kufirin me Turqinë. Shteti Islamik ka marrë brenda tre ditësh një numër të madh qytetesh e fshatrash përreth Alepos.

Në radhët e opozitës siriane po shtohet zërat që kërkojnë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për të nisur edhe këtu sulmet ajrore, nën shembullin e Irakut, kundër pozicioneve të xhihadistëve.

Sipas tyre, kjo do të bënte që ushtria e lirë siriane e opozitës, të fuqizohej ashtu si kurdët, për t’i bërë ballë xhihadistëve por edhe forcave të Bashar al Asad, me të cilët janë në luftë prej më shumë se tre vitesh.