Avokatët shkelin ligjin, punojnë edhe në universitete publike

Ligji për avokatinë, i cili saktëson dhe ndalon për avokatët ushtrimin e dy marrëdhënieve të rregullta të punës, nuk është duke u zbatuar prej një numri profesorësh e asistentësh universitarë. 

Lajme

15/08/2014 09:33

 Ky veprim nga ekspertët ligjorë cilësohet si shkelje flagrante e ligjit.

Ligji për Avokatinë ua ndalon avokatëve ushtrimin e dy marrëdhënieve të rregullta të punës. Megjithatë, jo të gjithë avokatët aktivë e të licencuar në Kosovë i përmbahen kësaj.

“Koha Ditore” ka evidentuar disa prej tyre në Fakultetin Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Këto raste, sipas njohësve të çështjeve ligjore, përbëjnë shkelje ligjore, të cilat nuk guxojnë të ndodhin sidomos nga ligjëruesit universitarë dhe avokatët.

Në uebfaqen e Fakultetit Juridik, Hamdi Podvorica, figuron si profesor i asociuar.

Ai është edhe avokat i licencuar në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) që nga viti 2007. Po ashtu, edhe Dastid Pallaska listohet si asistent i rregullt në po këtë fakultet në uebfaqe, kurse si avokat i licencuar në OAK që nga viti 2010.

Ushtrimi i punës së tyre në universitet është konfirmuar nga Zyra për Informim e Rektoratit.