Komisionisti i bërllokut, shef i Sektorit të ndërtimit

Nga korriku i vitit 2008, deri ditën e arrestimit – Ismet Haliti ka mbajtur pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës si ushtrues detyre. Ai nuk kishte të drejtë të emërohej fare në këtë pozitë për shkak se kishte të kryer vetëm shkollën e mesme. Pos kësaj, ligji nuk lejon ushtrimin e detyrës më shumë se tre muaj.

Lajme

08/07/2014 09:51

Gjashtë vjet rresht pozita e shefit të Sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës është mbajtur me ushtrues detyre. Kjo përgjegjësi i ishte besuar Ismet Halitit, i arrestuar në muajin prill si i dyshuar për korrupsion, shkruan “Koha Ditore”.

Gjatë kësaj kohe është shkelur ligji nga Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Isa Mustafa dhe kriteret për postin e shefit të Sektorit të ndërtimit.

Ligji i shërbimit civil, nuk lejon ushtrimin e detyrës përtej tre muajve, ndërsa kriter profesional për këtë pozitë është diploma universitare për arkitekturë ose ndërtimtari.

Asnjërën prej tyre nuk e kishte Ismet Haliti. Nuk kishte fare diplomë universiteti kur me vendim të ish-drejtorit të Urbanizmit, Shiqeri Spahiu, ishte emëruar në këtë pozitë. Drejtorët janë ndërruar, por konkurs për pozitën e shefit të Sektorit të ndërtimit kurrë nuk ishte shpallur.

Rrjedhimisht, Ismet Haliti që në Komunën e Prishtinës kishte ardhur nga ndërmarrja “Higjeno-Teknika” ka qenë personi kryesor për kontrollimin e ndërtimit në Prishtinë. Ai që nga viti 1993 ka punuar në ndërmarrjen “Higjeno-Teknika” si “kryerës” i punëve dhe detyrave për drejtimin e automjeteve speciale në bartjen e mbeturinave”.