Papa në shtator viziton Shqipërinë
\"La Stampa\" italiane ka bërë një përshkrim për vizitën që Papa pritët ta bëjë në Shqipëri më 21 shtator të këtij viti.
Lajme
Papa Françesko viziton shtetin më mysliman të Evropës, për të ngjallur dialogun ndërfetar. Kështu nis shkrimi në “La Stampa”.
Marco Impagliazzo (kryetar i Komunitetit të Shën Egidio) dhe Stefano Ceccanti (ish-president i Fucit) analizojnë vizitën e Papës së Vatikanit në Shqipëri, një vend i dashur për Kishën Katolike, sepse këtu besimtarët u persekutuan si në asnjë vend tjetër, sidomos pasi diktatori Enver Hoxha në vitin 1967 e shpalli Shqipërinë shtetin ateist të parë në botë.
Nuk mund të dihet nëse ka arsye të tjera, përtej asaj që tha Papa në Angelus, në lidhje me vizitën e tij në Shqipëri më 21 shtator, duke përmbushur udhëtimin e tij të parë apostolik në Evropë.
Por, ajo që sigurisht është e rëndësishme nga ky udhëtim i parë në Evropë, qëndron në faktin se Papa nuk është drejtuar në vendet e mëdha katolike, por në një vend periferik në largësi, me pak peshë ekonomike dhe politike. Si për Lampedusan dhe udhëtimet në Kalabri dhe Molise”, thotë Impagliazzo.
Ndërsa, sipas mendimit të Ceccant-it, Papa me vizitën e tij në Shqipëri, në një vend mes komunizmit dhe kapitalizmit, tregon rrugën drejt një modeli të rinovuar të ekonomisë së tregut social, në të cilin forma politike e shtetit nuk pretendon fuqi të plotë.
Do të jetë më i lehtë afrimi me BE-në dhe më pas bashkimi me të.
Shqipërinë në vitin 1993 e kishte vizituar edhe Papa Gjon Pali II.