Mohohet lajmi për përfundimin e hetimeve për trafikim të organeve

Zëdhënësi i SITF, Joao Sousa, ka thënë se hetimet për trafikim të organeve, janë duke vazhduar. Ai bëri të ditur se nuk mund të spekulojnë për rezultatin e hetimeve. 

Lajme

20/06/2014 19:19

Zëdhënësi i Task-Forcës Speciale Hetuese [SITF], Joao Sousa, ka demantuar raportimet ku thuhet se kinse përfundimin e hetimeve lidhur me trafikimin e organeve në Kosovë.

Në një prononcim për Koha.net, ai ka thënë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar dhe nuk do të dalin me asnjë koment pa përfunduar hetimet në tërësi.

“Ky është një hetim që është në vazhdim e sipër dhe Ambasadori [Clint] Ëilliamson ka thënë vazhdimisht se deri në fund të hetimeve nuk do të del me ndonjë deklaratë. Asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Joao Sousa, zëdhënës i SITF.

Sousa ka thënë se do të ishte e papërshtatshme që të komentoheshin përfundimet e hetimeve, duke shtuar se siç e kanë thënë edhe më herët, “nuk do të spekulojmë me thashethemet e pabaza të mediave”.

“Hetimet tona po vazhdojnë dhe rezultatet do të publikohen me kohë. Nuk mund të paragjykojmë asnjë rezultat”, ka theksuar zëdhënësi Joao Sousa për Koha.net.

Ndryshe, sot mediat lokale kanë raportuar se kanë përfunduar hetimet për trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë dhe se me këtë janë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e raportit të senatorit zviceran, Dick Marty. (koha.net)