Edhe 35 mijë vota të pa numëruara, ato me kusht dhe nga diaspora

Qendra e Numërimit të Rezultateve ka nisur procesin e regjistrimin e votave me kusht dhe të atyre me postë, të cilat më pas do të fillojnë të numërohen, për t’iu bashkuar rezultatit të votave të rregullta. 

Lajme

13/06/2014 18:55

Një staf prej rreth 600 personave me rreth 30 vëzhgues janë duke punuar për të proceduar të dhënat për rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 8 qershor. 

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur sot regjistrimin e votave me kusht dhe atyre me postë. Burim Ahmetaj ka thënë për KosovaPress, se pa përfunduar ky proces nuk mund të fillohet ai i numërimit të këtyre votave që t’i bashkëngjitet rezultatit nga votat e rregullta. 

 “QNR-ja është duke bërë regjistrimin e votave me kusht në databazë, po ashtu është edhe proces tjetër regjistrimi i votave me postë në databazën e QNR-së. Krejt ky regjistrim bëhet me qëllim që të bëhet krahasimi me votues të rregullt nga ky krahasim del raporti se votuesit me kusht, me postë, nuk kanë votuar më shumë se një herë”, ka thënë Ahmetaj.   

Përafërsisht 21 mijë vota me kusht, rreth 13 mijë vota me postë, dhe rreth 1500 vota të personave me nevoja të veçanta do të regjistrohen nga QNR-ja dhe vetëm pasi të kompletohet procesi i regjistrimit të këtyre votave në databazë, vetëm atëherë Ahmetaj thotë se do të dihet shifra e saktë e këtyre votave. 

“Pasi të përfundojë procesi i regjistrimit, do të bëjmë të gjitha krahasimet me databazë dhe do të dalë raporti i verifikimit, në mënyrë që të fillohet me procesin e numërimit të votave me kusht nga fillimi i javës ardhshme”, thotë Ahmetaj. 

Përveç kësaj në QNR është duke u bërë auditimi i formularëve të cilët kanë mospërputhje brenda formularëve dhe mbrëmë ka përfunduar rinumërimi i 14 vendvotimeve të cilat janë rinumëruar me vendim të KQZ-së.