Berisha propozon qeveri teknike

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka propozuar se nëse nuk arrihet të krijohet qeveria qoftë nga pozita apo opozita, atëherë duhet të formohet një qeveri teknike, e cila do të merrej me ndryshimin e Ligjit Zgjedhor.

Lajme

13/06/2014 13:34

Berisha në një postim ne Facebook, ka shkruar se nëse nuk bëhet ndryshimi në Ligjin Zgjedhor problemet e tilla do vazhdojnë.

Ai ka akuzuar liderët e partive politike se kanë bllokuar këtë ligj për interesa të veta.

“Legjitimitetin demokratik për krijimin e qeverisë së re në Kosovë, e krijojnë 61 vota të parlamentarëve. Këto vota mund të jenë të pozitës apo të opozitës. Cila do t’i bëj ato, ajo mund të marrë përgjegjësinë për të qeverisur”.

“Në këtë proces pritjeje që paralajmëron shkëndija krize, nuk përmendet se trazimi buron dhe do të vazhdojë të jetë i pagjasë për t’u tejkaluar, nëse nuk bëhet ndryshimi i Ligjit Zgjedhor. Liderët e partive politike e bllokuan për tre vjet e gjysmë reformën zgjedhore duke kalkuluar interesat klienteliste dhe tarrafore dhe jo ato të qytetarit dhe të shtetit të Kosovës”.

“Matematikat nisin dhe përfundojnë në këtë model krize politike. Ato nuk japin  zgjidhje, madje vetëm mund të rikomponojnë përgjegjësit e krizës”.

“Do pritur me durim dhe arsye nëse legjitimiteti demokratik mund të merret qoftë nga pozita qoftë nga opozita.  Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë zgjedhjet e reja do të ishin më fatale për demokracinë dhe qytetarinë, sepse do të përsërisnin problemet e njëjta, krahas shpenzimeve të mëdha që kërkojnë proceset e tilla zgjedhore”.

“Një shans për të përmirësuar demokracinë në Kosovë, nëse nuk do të mund të krijohet qeveria nga pozita apo opozita , mbetet krijimi i një qeverie teknike që do të merrej me reformën zgjedhore, duke kthyer të drejtën demokratike, prej se njihet ky model politik,  që një qytetar të ketë një votë dhe jo pesë, dhe e dyta, të krijohen zonat zgjedhore gjashtë apo shtatë. Pastaj organizimi i zgjedhjeve të reja”.

“Në këtë rast, cilësia dhe vetë filozofia e partive politike do të ndryshonte, mbasi nuk do të mund të mbështeteshin liderët kryesisht  në klientela e tarrafe, por në legjitimitetin profesional, politik, përfaqësues (rajonal) dhe etik të kandidatëve”, ka shkruanr në rrjetin social Facebook, profesori Berisha.