Hiqet tatimi i dyfishtë Kosovë-Shqipëri
Komisioni parlamentar i ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë ka miratuar të mërkurën marrëveshjen ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë për heqjen e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, si dhe për parandalimin e evazionit fiskal.
Lajme
Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë individët apo bizneset që kanë ngritur aktivitete në të dyja shtetet dhe që deri më tani kanë paguar dy herë tatime në secilin shtet, raporton korrespodenti i agjencisë KosovaPress.
Kjo marrëveshje do të lehtësojë shumë këta persona, duke nxitur kësisoj edhe forcimin dhe zgjerimin e bizneseve të tyre dhe duke kontribuar paralelisht në hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të dy shteteve.
Sipas ekspertes së Ministrisë së Financave, Ariana Dyrmishi, kjo marrëveshje trajton pikërisht faktin se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.
“Në elementin e përgjithshëm kjo marrëveshje ruan parimet bazë të shmangies së tatimit të dyfishtë, fillimisht janë përkufizimet e vendit të rezidencës, të banimit fiskal për individin dhe njësisë së përhershme në rastin e personave juridikë. Në rastin e të ardhurave që përfitohen nga pasuria e paluajtshme, e drejta e plotë tatimore është në vendin ku ndodhet pasuria e paluajtshme, në rastin e shitjes së pasurisë së paluajtshme, e drejta e plotë tatimore është në vendin ku ndodhet kjo pasuri; në rastin e personave juridikë që ushtrojnë veprimtari në transportin ndërkombëtar, ajror apo detar, e drejta e plotë tatimore është në vendin e menaxhimit efektiv të biznesit, po kështu edhe në rastin e të ardhurave për fitimet nga biznesi”, tha Dyrmishi.
“Në rast se një individ kosovar ka një pasuri në Shqipëri, dhe merr të ardhura nga qiraja, në çfarëdo marrëveshje sipas standardeve të BE-së, 10 % paguhet në vendin ku ndodhet pasuria. Në të tilla marrëveshje negociohet dividendi, interesat dhe të ardhurat nga e drejta e përdorimit. Në këtë rast, nëse do të shohim diferencën për dividendin, atëherë në marrëveshjen e mëparshme me UMNIK-un tatohej deri në 10 % në vendin ku ndodhej biznesi, në këtë marrëveshje nëse do krahasohet është lënë që do tatohet në vendin ku është rezident individi përfitues. Pra, në rastin kur një individ kosovar apo një individ shqiptar realizon disa të ardhura nga një aktivitet në Kosovë, do t’i paguhet 10 % në Shqipëri, dhe ka qenë e kundërta në këtë marrëveshje, dhe kjo është bërë pikërisht për të lehtësuar tatimet në flukset tregtare”, përfundoi Dyrmishi.