50 krimet më të rënda në Shqipëri nga viti 1990

Krime makabre me prerje kokash, djegie, rrëmbime dhe zhdukje pa lënë gjurmë. Masakra e vrasje, disa prej të cilave, ende mbeten pa autorë, ndërsa nga mënyra makabre si janë ekzekutuar, duke mos kursyer as foshnjat, apo babai vajzën e vet, trondinën opinionin publik shqiptar ndër vite. 

Lajme

07/06/2014 22:53

Roland Qafoku, drejtues i emisionit “Debat në Channel One” ka bërë një hulumtim, ku ka rreshtuar 50 krimet më të rënda nga 1990-2014. Ndërsa mbrëmë përmes të ftuarve, jurist, sociologë dhe gazetarë u përpoq t’i japë një përgjigje pyetjes “Por përse vrasim ne shqiptarët kështu?!”

Një studim i vlefshëm edhe për prokurorinë për t’i kujtuar dosjet e pluhurosura që janë ende të pazbardhura. Nga 1990 deri më sot kanë ndodhur 6400 vrasje, 7 krime të rënda tronditën opinin publik në 6 muajt e fundit. Nga 50 krimet me te renda te regjistruara ne vend 24 vitet e fundit, 8 jane regjistruar ne Durres dhe rrethinat e tij. 

50 krimet më të rënda në Shqipëri nga viti 1990 deri më sot:

1. 29 Maj 1992

Në Libofshë të Fierit, dy vëllezërit Çuko grabisin një banesë dhe vrasin 5 pjesëtarët e familjes, duke përfshirë edhe foshnjen 6-muajshe.

2. 21 Tetor 1995

Rrëmbehet në Tiranë dhe më pas zhduket, biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Dyshohet se ka vdekur pasi është torturuar nga punonjës të SHIK-ut. Ende nuk është gjetur trupi i tij.

3. Mars 1997

Në Lushnje, vritet dhe më pas i pritet koka një personi. Autori shëtit në qytet me kokën e prerë, në prani të kalimtarëve.

4. 23 Maj 1997

Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin 29, gjendet e masakruar një grua 35 vjeç. Policia arreston për këtë krim, të dashurin e saj. Ndërkohë që shkaku ishte xhelozia.

5. 5 Mars 1998

Në plazhin e Patokut, gjendet i vrarë dhe më pas i djegur, roja i lokalit. Viktimën e kishin lidhur me pranga dhe e kishin vendosur të lidhur në një shtyllë.

6. 15 Mars 1998

Në Qafë-Priskë në Tiranë, gjendet në rrugë kufoma e një pedagogu të Inxhinierisë së Ndërtimit, Mirajn Bubsi. Mendohet se autorët e kanë mbytur me peshqir dhe më pas e kanë djegur kufomën.

7. 9 Janar 1999

Gjendet rrugës drejt malit të Dajtit, në bagazhin e një makine, trupi i djegur i një të riu.

8. 19 Shkurt 1999

Në Qytetin Studenti gjendet e masakruar me një gurë në kokë studentja 21-vjeçare Kozeta Hyseni, e fakultetit Histori-Filologji. Edhe sot, nuk është gjetur autori.

9. 30 Mars 2000

Pranë rrugës nacionale Tiranë-Durrës, gjendet e masakruar kufoma e Erieta Avdylit, punonjëses së UNICEF-it, e cila rezultonte e zhdukur.

10. 7 Shkurt 2001

Në afërsi të pallatit “Asllan Rusi” në Tiranë, një ish-punonjës i SHIK-ut vret me pistoletë nënë e bijë, për shkak se vajza refuzoi të martohej me të.

11. 11 Tetor 2001

Në Durrës masakrohet me 11 thika një prift italian dhe më pas është munduar të fshihet kufoma.

12. 3 Korrik 2003

Në Bërxull të Tiranës, babai vret të bijën 16-vjeçare, pasi u largua një natë nga shtëpia. Në fillim, ngjarja u mbajt si vdekje natyrale, por policia arriti të zbulojë krimin. I ati u dënua me 18 muaj burg.

13. 4 Shkurt 2004

Në zonën e ish-kombinatit “Josif Pashko” në Tiranë, babi vret vajzën 22-vjeçare sepse kishte tre ditë që nuk ishte kthyer në shtëpi.

14. 16 Dhjetor 2004

Zhduket nga trageti që po vinte nga Italia drejt Durrësit, Irena Seli, rreth të 40-ve. Mendohet se e kanë hedhur nga trageti në ujë dhe më pas duhet të ketë vdekur.

15. 9 Shkurt 2006

Në fshatin Kozarë të Kuçovës, gjenden të pajetë në banesën e tyre, tre pjesëtarët e një familje, kryefamiljari, gruaja e tij shtatëzënë dhe djali i tyre 3-vjeçar. Për këtë krim është arrestuar vëllai i viktimës, por ai nuk e ka pranuar krimin.

16. 7 Korrik 2006

Në Has, zhduket dhe më pas gjendet i vdekur, mjeku dhe kryetari i degës së PD-së, Behar Kastrati. Mendohet se më parë ai është vrarë dhe është hedhur në rezervuar.

17. 20 Tetor 2006

Në Zall-Herr të Tiranës gjendet një kufomë e masakruar e një vajze rreth 20 vjeçe. Edhe sot nuk është mësuar identiteti dhe autorët e këtij krimi makabër.

18. 7 Mars 2009

Në lagjen “Allias” në Tiranë, dhëndri ka vrarë me pistoletë vjehrrin, vjehrrën, si dhe ka plagosur djalin e tij 16-vjeçar dhe më pas ka vrarë veten. Sipas policisë, shkak ka qenë grindja në familje.

19. 12 Tetor 2009

Në Bulqizë, gjenden te vdekur në banesën e tyre, një çift i ri bashkëshorësh. Policia hedh dyshimet, se vrasja mund të jetë një krim brenda familjes.

20. 3 Shkurt 2011

Në Tiranë masakrohet me thika dhe digjet në banesë një vajzë e re. Nuk janë zbuluar ende autorët.

21. 15 Shkurt 2010

Kapet nga policia një person nga Librazhdi, që kishte masakruar me sopatë të ëmën 75 vjeç. Ai dyshohet se kishte kryer edhe 4 vrasje të tjera në fshat.

22. 11 Maj 2010

Në Elbasan, në ambientet e shkollës se mesme “Mahir Domi”, ekzekutohet një 19-vjeçare. Sipas policies, autori pasi ka kryer krimin ka vrarë edhe veten. Shkak është bërë refuzimi i vajzës.

23. 18 Mars 2011

Në Elbasan, nënë e bijë janë ekzekutuar me armë, nga djali i shtëpisë. 28-vjeçari pasi ka qëlluar për vdekjen nënën dhe motrën e tij është vetëdorëzuar në polici.

24. 19 Mars 2011

Tre persona të së njëjtës familje janë vrarë dhe një është plagosur, në Elbasan, në lagjen “Syrja Dylgjeri”. Një person i paidentifikuar ka hyrë në banesën e familjes dhe ka vrarë tre burrat e familjes. Policia po heton në pistën e hakmarrjes.

25. 1 Korrik 2011

Në Tiranë, ekzekutohen me automatik në shtëpinë e tyre, burrë e grua. Policia nis hetimin dhe arreston autorin. Shkak për vrasjen, dyshohet martesa e mosaprovuar midis autorit me vajzën e çiftit të vrarë.

26. 26 Shtator 2011

Në Durrës gjendet në makinën e tij, i djegur, trupi i pajetë i një punonjësi të SHISH-it. Mendohet për shkak të detyrës.

27. 15 Tetor 2011

Në një pyll në Shëngjin, gjendet një vajzë 25-vjeçare e masakruar me 20 plagë, nga goditjet e thikës. Mendohet se vajza ishte nga Fieri.

28. 13 Gusht 2011

Në vendin e grumbullimit të plehrave në Korçë, gjendet kufoma e masakruar e një gruaje rreth të 30-ve. Asaj i kishin prerë kokën dhe gjymtyrët. Ende dhe sot, nuk është identifikuar.

29. 3 Shkurt 2012

Ekzekutohet në një pritë, me 3 plumba, një grua në Tiranë, me profesion laborante dentare.

30. 2 Gusht 2012

Në Arrë të Temalit në Shkodër, babai 45-vjeç vret të bijën 14-vjeç sepse nuk donte të kulloste bagëtinë dhe më pas, vret edhe veten.

31. 7 Gusht 2012

Në Poliçan të Skraparit, roja i uzinës vret shefin e tij dhe veten. Më pas vëllai i të vrarit dhunon kufomën e vrasësit.

32. 3 Shtator 2012

Në zonën e plazhit “Iliria” në Durrës, nipi 26-vjeç vret xhaxhain 56-vjeç, me thikë dhe më pas e fsheh kufomën në tualetin e apartamentit ku banonte.

33. 11 Tetor 2012

Në Xhafzotaj të Durrësit, një 80-vjeçar ka masakruar duke i prerë kokën një vajze 18-vjeçare, e cila ishte shtatzënë. Sipas hetimeve, turpi për këtë lidhje ka bërë që vajza t’i kërkonte 80-vjeçarit ta vriste dhe ai ka kryer krimin.

34. 18 Nëntor 2012

Në Berat ekzekutohet për hakmarrje një 65-vjeçar, pasi ishte vrarë i është prerë koka. Shkak, sipas policisë, është bërë aksidenti që kishte bërë djali i tij, nga ku kishte gjetur vdekjen një 52-vjeçare.

35. 11 Dhjetor 2012

Në Orikum të Vlorës, një burrë masakron me sqepar gruan shtatzënë dhe për dy netë fle në shtëpi duke pasur kufomën aty.

36. 31 Janar 2013

Në Elbasan, babai vret djalin dhe nusen e tij italiane, pas një debati.

37. 23 Shkurt 2013

Në Lën të Fierit, një person ka vrarë vjehrrin, vjehrrën, ka plagosur bashkëshorten dhe më pas ka vrarë veten.

38. 25 Shkurt 2013

Në Luzni të Dibrës, dy nuse masakrojnë dhe më pas i hedhin vaj të nxehtë në vesh, vjehrrës. Më pas, kufomën e groposin në kasollen e lopës, por policia zbulon ngjarjen dhe arreston dy nuset.

39. 16 Mars 2013

Kapet në Tiranë pedofili Ardian Përrenjasi, i cili kishte abuzuar me një fëmijë dhe dyshohej se kishte vrarë një fëmijë tjetër.

40. 17 Mars 2013

Në një shpellë në Zagorë të Shkrelit, në Malësinë e Madhe, gjendet një kufomë pa kokë mbuluar me gurë.

41. 28 Korrik 2013

Në plazhin e ujit të Ftohtë në Vlorë, një 18-vjeçar ekzekutonë me breshëri automatiku tre pushues. Sipas policisë, autori i arrestuar do të qëllonte ata që i kishin ngacmuar të motrën, por gabimisht janë vrarë tre pushuesit.

42. 16 Tetor 2013

Në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër, një 57-vjeçar vret gruan dhe më pas veten, në sy të vajzës 25-vjeçare.

43. 5 Dhjetor 2013

Në Shkozet të Durrësit, në një orë mësimi vritet me çifte një 15-vjeçar nga shoku i tij i klasës.

44. 21 Shkurt 2014

Në Durrës, gjenden të vrarë dhe më pas të djegur në makinë, dy persona.

45. 9 Mars 2014

Në Lecco të Italisë, nëna shqiptare Edlira Dobrushi, vret tri vajzat e saj 3, 10 dhe 13 vjeç pas divorcit me të shoqin shqiptar, i cili ishte kthyer në Shqipëri.

46. 2 Prill 2014

Gjendet një kufomë pa gjymtyrë dhe kokë, në anë të rrugës, në austrosradën Lushnje-Fier.

47. 1 Maj 2014

Në fshatin Kuturman të Librazhdit, nëna mbyt me jastëk foshnjen 2-muajshe sepse bashkëshorti i mohoi atësinë.

48. 9 Maj 2014

Në Domgjon të Mirditës, burri masakron gruan dhe më pas var veten. Mendohet se krimi është kryer për motive xhelozie.

49. 23 Maj 2014

Në Kurbin, nëna 45-vjeçare vret të bijën 15-vjeçare dhe më pas vret veten. Sipas të dhënave të para, e ëma ka patur si motiv për të penguar vajzën që të shkojë në ekskursion me klasën, por edhe për një lidhje dashurie të saj.

50. 29 Maj 2014

Në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë në Dibër, babai vret të bijën 21-vjeçare me 8 plumba. E bija ishte shtatzënë në muajin e pestë dhe fakti që ajo nuk ka treguar se kush ishte i ati, ka sjellë reagimin e tij, duke e ekzekutuar.