Në Rashkë zbulohen akoma mbetje mortore të shqiptarëve
Në Rudnicë të Rashkës së shpejti do të duhej të fillojnë gërmimet edhe në një lokacion tjetër ku dyshohet se fshihen mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajme
Deri tash nga varreza masive në Rudnicë janë nxjerrë mbetjet mortore të 37 personave.
Si njofton Blic i Beogradit, këtë lokalitet të mërkurën e kanë vizituar edhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë ardhur të verifikojnë se si po bëhet hapja e varrezës dhe nxjerrja e mbetjeve mortore.
Sipas kryetarit të Komisionit qeveritar serb për persona të zhdukur, Velko Odaloviq, deri tash janë nxjerr mbetjet e 37 personave.
“Nxjerrja e mbetjeve po shkon në mënyrën më të mire, ndërsa së shpejti do të duhej të fillojë gërmimi dhe hetimi I një lokacioni të afërm, ku dyshohet se po ashtu janë varrosur shqiptarët”, tha ai.
Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për operacione paqësore, Edmond Mulet vlerësoi se patologët dhe punëtorët e tjerë në Rudnicë po punojnë në mënyrë profesionale.
“Puna po kryhet në mënyrë transparente dhe pa kurrfarë problemesh”, tha ai.
Pos Mulet, varrezën masive në Rudnicë të Rashkës e ka vizituar edhe shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif.