Poroshenko përgatit planin për decentralizim të Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko tha se pas inaugurimit të tij do të paraqesë planin e paqes, për ta përfunduar krizën në pjesën lindore të Ukrainës.

Bota
Sipas Poroshenkos, për të arritur paqen në Ukrainë ai do të paraqesë planin për decentralizim, për një amnisti e gjerë, si dhe për zgjedhje të qeverive lokale.
Poroshenko tha se këto plane i ka diskutuar me liderët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe vendeve evropiane, gjatë vizitës së sotme (të enjten) në Poloni.
Sipas tij, këto bisedime do të vazhdojnë në Francë, ku pritet që liderët e ndryshëm të marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi, si hap vendimtar për mposhtjen e nazizmit.
Gjatë një konference për gazetarët në Varshavë, Poroshenko tha se nuk është planifikuar ndonjë takim i tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Francë, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë.
Si njofton REL, Poroshenko do të inaugurohet më 7 qershor.