Wenger hapë kuletën
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger do ta hapë kuletën gjatë këtij afati kalimtar të verës. Drejtori ekzekutiv i klubit, Ivan Gazidis ka njoftuar se gjiganti londinez do të kërkojë përforcime për sezonin e ri.

Sport
Arsene Wenger nuk frikësohet të shpenzojë para në mënyrë që Arsenali të rishfaqet si kandidat për titull të kampionit në Premierligë, sezonin e ardhshëm, ka njoftuar drejtori ekzekutiv, Ivan Gazidis.
Gjiganti londinez përfundoi pritjen nëntëvjeçare për titull duke mposhtur Hull Cityn në finalen e FA Cup në Wembley, muajin e kaluar.
Dhe, Gazidis ka njoftuar se klubi është i gatshëm të jetë aktiv edhe në tregun e futbollistëve.
“Përforcimet janë pa dyshim të rëndësishme dhe ne tashmë kemi bërë biseda të thella. Jam optimist se do të shtojmë atë që kemi nevojë gjatë verës”, deklaroi ai për Evening Standard.
“Menaxheri nuk është i frikësuar të shpenzojë, ka përvojë, por gjithmonë duhet të analizojmë dhe vendosim një buxhet. Ne të gjithë jemi të kënaqur që kemi siguruar sërish kualifikimin për në Ligën e Kampionëve. Sezoni i fundit ishte përvojë e mirë për futbollistët që fituan FA Cupën dhe tani kërkojmë më tepër”, u shpreh ai.
Arsenali është i interesuar për transferimin e sulmuesit të Real Madridit, Alvaro Morata, por nuk pritet të bëjë përpjekje për rikthimin e mesfushorit të Barcelonës, Cesc Fabregas.
Wenger po ashtu është i interesuar për sulmuesin e Paris Saint-Germain, Jean-Christophe Bahebeck dhe mbrojtësin e talentuar, Serge Aurier nga Toulouse.