Jahjaga takohet me ministrin e Jashtëm Francez

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Paris me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Laurent Fabius, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset integruese të vendit dhe të rajonit të Ballkanit.

Lajme

05/06/2014 18:00

Presidentja Jahjaga në bisedë me ministrin Fabius shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Francës për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni. Ajo vlerësoi se Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të demokracisë së saj dhe subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për këto procese të shteteve të ndryshme të botës, përfshirë edhe Francën.

Nëpërmjet një komunikate për media të dërguar nga Zyra e Presidencës, Jahjaga thuhet të ketë theksuar gjatë takimit se se për Kosovën është me rëndësi të madhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me Republikën e Francës dhe posaçërisht zgjerimi i tyre në fushën e ekonomisë.

“Procesi i integrimit evropian përbën një rëndësi të veçantë për avancimin e të gjitha shteteve të rajonit, duke i ofruar perspektivë paqes së qëndrueshme dhe përparimit të vendeve të rajonit”, njofton komunikata.

“Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova më 8 qershor do të përmbyllë një proces të rëndësishëm të zgjedhjeve të përgjithshme, që do ta ndihmojë vendin në rrugën përpara dhe theksoi se të gjithë institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë, janë të angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të ndershme”, njofton komunikata.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Francës, Laurent Fabius duke e vlerësuar angazhimin e Presidentes Jahjaga theksoi se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë e Kosovës, veçanërisht me punën e saj në mbështetje të sundimit të rendit dhe ligjit.

“Ai tha se vendi i tij përcjellë me shumë vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit dhe theksoi se mbështetjen e Francës për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë”.

“Fabius vlerësoi se marrëdhëniet në mes dy vendeve kanë shënuar progres të dukshëm veçanërisht në fushën e ekonomisë duke shprehur gatishmërinë për intensifikimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve”, shkruan në vazhdimin e kësaj komunikate.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga po qëndron në Paris, ku po merr pjesë në punimet e Samitit Global të Grave, që këtë vit organizohet nën patronatin e qeverisë franceze.