Njohjet nga “pesëshja” mund të vonojnë

Edhe pse Sllovakia ka bërë lëvizje pozitive, njohja e Kosovës nga ky shtet duket se nuk do të vije edhe aq shpejtë. Së paku jo këtë vit, ashtu sikurse është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës. Veç Sllovakisë, Kosovën nuk pritet ta njohin gjatë këtij viti as nga Rumunai, Greqia, Spanja apo Qipro. 

Lajme

19/05/2014 09:55

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki, Adrej Kiska gjatë fushatës zgjedhore kishte shprehur favorizimin e tij që shteti i tij ta njoh Kosovën. Por, si duket ideja se Sllovakia do të njoh Kosovën, nuk janë dhe aq reale.

“Që të ndryshojë pozicioni sllovak, së pari duhet të ndërrohet apo neutralizohet rezoluta e Parlamentit të Sllovakisë, e cila në mënyrë eksplicite përcakton se Kosovën nuk duhet njohur si shtet i pavarur”, i ka thënë një burim Kohës Ditore, në margjinat e konferencës GLOBSEC 2014, që ëshët mbajtur këtë javë në Bratisllavë.

Një tjetër ide për të njohur Sllovakia Kosovën ishte që ajo të vendosej në pako së bashku me Rumaninë dhe Greqinë, por si duket edhe kjo mundësi ka dështuar, i ka thënë një burim tjetër sllovak gazetës.

“Ideja përgjithësisht ishte që të veprohej në grup, ashtu sikur vepruan Mali i Zi dhe Maqedonia, në mënyrë që të shpërndahej presioni i mundshëm. Por, me përmendjen e Kosovën në kontekstin e fushatës zgjedhore nga kandidati Kiska, u rihap debati që kishte kohë që ishte heshtur, dhe u risollën në skenë kundërshtimet e shumta, që tash e bëjnë fort joreale një lëvizje të shpejtë nga Sllovakia”, ka thënë ky burim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkaq, Qipro dhe Spanja duket të jenë dy vendet më këmbëngulëse për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rumani dhe Greqia duket se janë më fleksible në këtë drejtim. Sidoqoftë as këto dy shtet e fundit, nuk priten që ta njohin Kosovën së shpejti.