Atletico Madrid, mbret i Spanjës

Atletico Madrid barazoi 1:1 në Camp Nou me Barcelonën dhe u shpall kampion i ri i La Ligës. Diego Godin iu përgjigj golit të Alexis Sanchezit për festën e madhe të madrilenëve.

Sport

17/05/2014 20:54

Atletico Madrid është kampion i ri i Spanjës. Skuadra e trajnerit Diego Simeone barazoi në udhëtim te Barcelona me rezultat 1:1, dhe e fitoi titullin në Camp Nou.

Dueli nisi keq për Atleticonqë humbi sulmuesin Diego Costa pas vetëm 16 minutash lojë për shkak të një lëndimi. Adrian hyri në vend të tij. Kurse, në minutën e 22-të nga loja për shkak të një dëmtimi doli edhe mesfushori Arda Turan i cili ia liroi vendin Raul Garcias.

Barcelona e shfrytëzoi këtë duke kaluar në epërsi në minutën e 33-të me golin e sulmuesit Alexis Sanchez. Pjesa e parë u mbyll me avantazh të vendasve, por Atletico nuk u dorëzua.

Vetëm katër minuta pas vazhdimit, qendërmbrojtësi Diego Godin shënoi me kokë duke barazuar rezultatin, që i konvenonte Atleticos. Barcelona u mundua të shënonte sërish por nuk ia doli. Atletico rezistoi dhe fitoi titullin e dhjetë në histori të klubit në La Ligë.