Guardiola krenohet me Bayernin
Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola krenohet me skuadrën e tij. Ai është shprehur i lumtur pas përfundimit të sezonit në Bundesligë, me fitore 1:0 ndaj Stuttgartit.
Sport
Pep Guardiola ishte “krenar” me futbollistët e tij të Bayern Munichut pas përfundimit të sezonit në Bundesligë me fitore 1:0 ndaj Stuttgartit.
Claudio Pizarro u inkuadrua nga bankina në Allianz Arena duke shënuar golin e fitores në aksionin e fundit të ndeshjes derisa Bayern e mbylli edicionin me 19 pikë epërsi ndaj Borussia Dortmundit në pozitën e dytë.
Menjëherë pas ndeshjes, Guardiola dhe futbollistët e tij e festuan dorëzimin e titullit dhe ish strategu i Barcelonës u mbulua me birrë, në mënyrë tradicionale bavarez.
“Jam shumë krenar për këtë skuadër dhe këta futbollistë”, deklaroi Guardiola në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
“Birra është e ftohtë, por tani është gjithçka në rregull pas një dushi. Jam i lumtur”, u shpreh Guardiola, i kritikuar së fundmi pas eliminimit të Bayernit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Real Madrid.