Gjykata Speciale të paguajë shpenzimet për mbrojtje e jo Qeveria
Avokati Besnik Berisha thotë se Qeveria nuk duhet të krijojë fonde për mbrotjen dhe dëmshpërblimin e atyre që dalin të pafajshëm nga Gjykata Speciale. Ai thotë se hetimet e Gjykatës mund të përfshijnë ngjarje të tjera që nuk janë të përfshira në raportin e Dick Marty-t.

Lajme
Avokati Besnik Berisha thotë se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të krijonte fonde për mbrojtje juridike për personat që eventualisht do të gjykohen nga Gjykata Speciale.
Ai në emisionin Interaktiv të KTV-së, tha se Qeveria me këtë rast ka treguar ngë shembull të keq dhe se do të duhej të insistohej që këto shpenzime që Qeveria pretendon t’i mbulojë, të futen brenda buxhetit të vet Gjykatës Speciale.
“Mendoj se është një veprim i keq, një shembull i keq për sundimin e drejtësisë. Mendoj se qytetarët e Kosovës do të mendojnë se vet fakti që përmenden figura të lartë të shtetit në këtë raport, nuk do të thotë se ata do të ndjeken penalisht dhe prandaj po bëhen këto fonde”.
“Insistimi i qeverisë nuk do të duhej të ishte të krijonte fonde, por do të duhej të insistohej që këto shpenzime të futeshin në buxhetin e kësaj gjykate”.
Berisha e vlerëson si hap të vonuar nga politikanët kosovarë hapjen e rrugës për krijimin e Gjykatës Speciale. Ai beson se hetimet do të jenë më të thella dhe jo vetëm pretendimet e dala nga raporti i Dick Marty-t.
“Mendoj se është një hap i vonuar. Kosova nuk mund ta vuajë çekun e së kaluarës me dekada të tëra, pa u përballur me dyshimet për individ të caktuar”.
“Kosova është e gatshme që të përballet me drejtësinë. Mendoj që në ditët në vijim do të kristalizohet edhe më tutje se nuk do të jetë vetëm raporti i Dick Marty-t, por do të jetë një hetim më i thellë prej ngjarjeve që kanë ndodhur mbas vitit 98 e këndej”.
“Mendoj se do të dalë përtej këtij hetimi të ngushtë të këtij raporti, dhe besoj se do të vërtetohet ajo çka po thuhet, për luftën e pastër të UÇK-së”.
“Mendoj se është një lajm i mirë edhe pse me rezervë po akceptohet nga lidershipi jonë politik”.
“Besohet që gjithçka do të jetë ekskluzive ndërkombëtare. Sigurisht që ka arsye që ka ndodhur kjo sepse ndërkombëtarët besojnë se duhet kristalizuar ajo që është e dyshimtë”, tha avokati Besnik Berisha për KTV.