Inva Mula, anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës
Sopranojashqiptare me famë botërore, Inva Mula është pranuar ditët e fundit anëtare e World Academy of Art and Science, e cila numëron 730 anëtarë nga mbarë bota.

ShowBiz
Në një postim në rrjetin social Facebook, Inva falënderon të gjithë miqtë dhe adhuruesit për mbështetjen e artit të saj.
“Pranimi im si anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës është një ngjarje jo vetëm për mua, pasi unë e ndaj këtë me të gjithë ju së bashku”, shkruan Inva Mula.
Sekretari Shkencor i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, Fatos Tarifa, duke vlerësuar pranimin e sopranos së famshme Inva Mula për anëtare të Akademisë Botërore të Artit, shprehet se “është një nder i madh që i bëhet Invës dhe padyshim na gëzon dhe na bën të ndjehemi krenarë të gjithë ne, miq e kolegë të saj, anëtarë të Akademisë sonë”.
Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës (WAAS) është e përbërë nga 730 anëtarë të kulturave të ndryshme, kombësive dhe disiplinave intelektuale, të zgjedhur në bazë të reputacionit që kanë në art, në shkencat natyrore dhe sociale. Anëtarët e WAAS janë të emëruar nga anëtarët e mëparshëm dhe zgjidhen drejtpërdrejt prej tyre. Të zgjidhesh në këtë akademi konsiderohet si një nga nderet më të larta që mund t’i jepet një shkencëtari.
Anëtarët përbëhen nga artistë me emër, politikanë, shtetarë, ish-kryetarë të vendeve të ndryshme, kryetarë të instituteve të kërkimeve, si dhe biznesmenë.
E themeluar në vitin 1960 nga individë të ndryshëm të interesuar nga ndikimi i dijes që po rritet gjithnjë e më shumë, aktivitetet e saj synojnë të japin zgjidhje botërore për pasojat sociale dhe implikimin politik të dijes.