Mustafa: Kushtin për vendet e rezervuara po e vë kryeministri e jo ndërkombëtarët

Isa Mustafa thotë se ndërkombëtarët asnjëherë nuk i kanë vënë kusht LDK-së që për themelimin e FAK-ut të votojnë edhe vazhdimin e vendeve të rezervuara. Ai thotë se këtë kushtëzim po e vë kryeministri Hashim Thaçi, duke mos mundur që të ketë votat e të gjithë partnerëve të koalicionit qeverisës.

Lajme

30/04/2014 00:10

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa shkruan se e çmon lartë angazhimin dhe kontributin e partnerëve amerikanë dhe europian për proceset në vend.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se LDK do të votojë unanimisht për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe se ndërkombëtarët asnjëherë nuk kanë vënë ndonjë kusht që LDK të votojë edhe vendet e rezervuara, por se këtë kushtëzim po e vë kryeministri Hashim Thaçi.

“Siç e dini, nesër do të takohemi ne, udhëheqësit e forcave politike të Kosovës me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, si gjithherë, çmon angazhimin dhe kontributin e partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë në të gjitha proceset zhvillimore që ka kaluar vendi ynë. Secilën herë, me përvojën, me dashamirësinë e tyre ndaj vendit tonë dhe fuqinë e tyre, ata na kanë ndihmuar të gjejmë zgjidhjet më të mira për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë”.

“Kësaj radhe, LDK çmon dhe falënderon nga zemra SHBA-të për mbështetjen e tyre në procesin e krijimit të Forcave të Armatosura. Deputetët e LDK-së në unanimitet do të votojnë për krijimin e Forcave të Armatosura. Dhe këtë votim deputetët e LDK-së as nuk e kushtëzojnë dhe as nuk e ndërlidhin me asnjë proces tjetër”.

“Ju siguroj se si kryetar i LDK-së, në kontekst të krijimit të Forcave të Armatosura, nuk më është kërkuar asnjëherë nga partnerët tanë ndërkombëtarë asnjë kompromis, përfshirë edhe atë për miratimin e kërkesës për vazhdimin e mandateve të rezervuara për pakicat”.

“Prandaj, më lejoni të ju shpjegoj se votimin e Forcave të Armatosura po e kushtëzon kryeministri në largim dhe partia e tij. Ata po rrezikojnë krijimin e Forcave të Armatosura, duke cytur disa nga përfaqësuesit e pakicave, përfshirë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, ta kushtëzojnë votimin e Forcave të Armatosura me vazhdimin e vendeve të rezervuara”.

“LDK e kupton tërësisht pozitën e vështirë në të cilën e ka futur veten kryeministri në largim. Por, LDK dhe as qytetarët e Kosovës nuk i detyrohen obligimeve që ka marrë kryeministri në largim, në përpjekjet e tij për ta ruajtur pushtetin, i cili që moti i ka ikur nga duart. Edhe sepse këtë pushtet e ka fituar me manipulim të rezultatit të zgjedhjeve të kaluara. Por, edhe sepse ka dështuar ta menaxhojë atë pushtet në përputhje me interesat e qytetarëve”.

Isa Mustafa shkruan se për “ti ndihmuar të sotmes dhe së ardhmes së Kosovës”, LDK do të votojë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara.

“Prandaj, të bindur se kështu i ndihmojmë më së shumti të sotmes dhe të ardhmes së Republikës sonë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë i themi JO vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. Ky është qëndrim parimor, ligjor dhe kushtetues, që LDK e zbaton dhe e afirmon si qëndrim që duhet ta mbajnë të gjithë ata që vërtetë angazhohen për një Kosovë demokratike e kushtetuese”.

Mustafa kërkon nga Kryeministri Thaçi që të mos përpiqet të “mashtrojë” qytetarët, duke fshehur pamundësinë e tij për të bindur partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për FAK-un.

“LDK i kërkon kryeministrit në largim që të mos vazhdojë të përpiqet të mashtrojë qytetarët e Kosovës, duke fshehur pamundësinë e tij për t’i bindur partnerët e koalicionit të tij qeverisës, të cilët edhe publikisht janë shprehur kundër krijimit të Forcave të Armatosura. Jo për shkak të vendeve të rezervuara. Por, për shkak se ashtu janë instruktuar nga udhëheqësit e Serbisë, me të cilët tashmë kanë krijuar edhe përvojë të partneritetit politik, i cili pritet të reflektojë edhe strukturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës”.

“Së këndejmi, LDK i mbetet besnike qëndrimit të saj për votimin e Forcave të Armatosura dhe për kundërshtimin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse, LDK vlerëson se krijimi i Forcave të Armatosura është e drejtë legjitime dhe kushtetuese. Kurse, vazhdimi i vendeve të rezervuara është antikushtetues dhe dëmton demokracinë përfaqësuese”.

“LDK vlerëson se Pika 2.1 e nenit 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që thotë: “partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10)” dhe Pika 2.2 e Nenit 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që thotë: “partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim: komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara” janë norma kushtetuese të standardeve më të përparuara, që sigurojnë përfaqësim të pakicave mbi parimin e diskriminimit pozitiv, me të cilin Kosova krenohet se i trajton pakicat e veta, më mirë se secili shtet tjetër, jo vetëm në rajon”, ka shkruar në Facebook, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.