Federata Sindikale e Shërbimeve Publike, kërcënon me protestë
Federata Sindikale e Shërbimeve Publike, ka paralajmëruar protestë në rast se nuk plotësohet kërkesat për rritje të pagave për punëtorët e Kompanive Publike. Sipas tyre, gjendjen më të rëndë e kanë punëtorët e kompanisë për menaxhim të mbeturinave.
Lajme
Federata Sindikale e Shërbimeve Publike (FSSHPK), ka paralajmëruar për protestë nëse nuk plotësohet kërkesat e tyre për rritje të pagave për punëtorët e Kompanive Publike.
Sekretari i FSSHPK-së, Fazli Behluli, gjatë një konferencë për media të martën, tha se u kanë bërë kërkesë të gjithë shefave të Kompanive Publike, për rritjen e pagave, por nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.
“Ne do t’a bëjmë një protestë njëorëshe para kompanive. Në protestën e dytë do t’i mbledhim të gjithë punëtorët para Qeverisë, dhe nëse ato dy protesta nuk kanë suksese atëherë është ajo më e keqja do të hymë në greve gjenerale”, tha Behluli.
Sipas tij, gjendje më të rëndë e kanë punëtorët e kompanive për menaxhim të mbeturinave që marrin rrogën 170 euro në muaj.
Ndërkaq, Kryetari i Federatës Sindikale të Shërbimeve Publike, Rashit Mehmeti, tha se paga prej 170 euro, që marrin punëtorët do t’i detyrojë ata që të dalin në rrugë, sepse sipas tij, ajo krahasohet me një rrogë që është në kushte jashtë normale.
Përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Shërbimeve Publike, thanë se do bashkëngjiteshin në protestë për 1 maj nëse ajo organizohet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.