Shaqiri kundër racizmit
Ylli kosovar Xherdan Shaqiri i është bashkuar fushatës kundër racizmit, në mbështetje të mbrojtësit të Barcelonës, Dani Alves, pas incidentit në duelin me Villarrealin.

Sport
Ylli kosovar i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri i është bashkuar yjeve anembanë botës në fushatën e re kundër racizmit, në mbështetje të mbrojtësit të Barcelonës, Dani Alves.
Ylli brazilian ka bërë bujë të madhe të dielën kur gjatë ndeshjes në udhëtim te Villarreal, derisa ishte duke u përgatitur të ekzekutonte një goditje nga këndi, një tifoz hodhi një banane në drejtim të tij. Alves e mori atë, e qëroi dhe e hëngri, para se të godiste topin.
Menjëherë pas takimit, veprimi i Alvesit u bë trend dhe yje të ndryshëm kanë përsëritur gjestin, duke publikuar fotografi me porosinë: “Thuaj jo racizmit”.
Qëndrimin e ka mbështetur edhe Shaqiri, i cili publikoi një fotografi duke ngrënë një banane, në profilin e tij në rrjetin social Facebook.