Thaçi: Nuk mund të themelohet Ushtria duke u deklaruar kundër pakicave
Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar takimin në mes liderëve të partive politike për të diskutuar për çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Thotë se askush të mos mendojë të themelojë Ushtri të Kosovës duke u deklaruar kundër minoriteteve. Pohon se këtë nuk e lejon as Qeveria e as Perëndimi.

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se të mërkurën do të zhvillohet një takim në mes të subjekteve politike të pozitës dhe opozitës, për të marrë vendimin e përbashkët për themelimin e FAK.
Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, kryeministri Thaçi tha se themelimi i FAK’ut është domosdoshëm dhe një shans historik për Kosovën.
Ai edhe njëherë i ftoi të gjithë spektrin politik që të marr guximin dhe të dal mbi çdo interes partiak, grupor e elektoral për të votuar në mënyre unike për themelimin e FAK-ut.
“Ftoj që vendimi për themelimin e FAK -ut të mos politizohet. Këtë shans historik nuk mund ta humbim për asnjë interes të ngushtë politik, asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të vë kushte politike për themelimin e FAK-ut. Duke votuar për FAK-un, votohet për shtetin e Kosovës jo për Qeverinë”, pohoi Thaçi.
Kryeministri Thaçi po ashtu theksoi se është momenti që të veprojnë të gjithë të bashkuar dhe të marrin këtë vendimin historik për të votuar themelimin e FAK-ut, pasi që çdo lëshim do të ketë pasoja katastrofale për të ardhmen e Ushtrisë së Kosovës.
Ai shprehu besimin e plotë se të gjithë liderët do të reflektojnë me urtësi dhe guxim, duke vendosur ta votojnë themelimin e ushtrisë, duke tejkaluar interesat partiake.
Sipas tij, askush mos të mendojë që mund të themelojë Ushtri të Kosovës apo Forcë të Armatosur të Kosovës, duke u deklaruar kundër minoritarëve, pasi që këtë nuk e toleron as Qeveria, as SHBA, BE dhe as NATO.
Një ditë më parë, edhe ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku ka deklaruar se pret që të hënën në Kuvend të votohen ndryshimet e nevojshme për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.