Haxhiu: Duhet të “rrëzohet” qeveria, e jo Kuvendi

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, duke e komentuar kërkesën e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, drejtuar partive politike, që të bëjnë një marrëveshje për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se partia e saj angazhohet që rruga drejt zgjedhjeve, të jetë përmes rrëzimit të Qeverisë.

Lajme

29/04/2014 15:50

Ajo ka thënë se shpërbërja e legjislativit si njëra prej metodave për t’i hapur rrugë zgjedhjeve, rrjedh nga Marrëveshja Mustafa -Thaçi.

“Ne jemi kundër kësaj marrëveshje (Mustafa- Thaçi) si dhe kundër shpërbërjes, si metodë që do të përdoret për këtë rast. Shpërbërja e Kuvendit e fajëson Kuvendin, sikur degradimi politik, ekonomik e social i vendit të kishte qenë pasojë e Kuvendit, duke e amnistuar kështu plotësisht Qeverinë”, ka shkruar Haxhjiu në profilin e saj në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje është këmbëngulëse që faji për këtë gjendje në Kosovë bie mbi qeverinë, dhe mbi ata deputetë të Kuvendit të cilët kanë shërbyer si vegël e saj.

“Angazhohemi që rrëzimi i qeverisë të jetë njëkohësisht kundërshtim i politikave të saj, e jo vetëm i njerëzve në të. Ndryshimi në Kosovë vjen përmes ndëshkimit politik të Qeverisë dhe politikave qeveritare, dhe përmes ndëshkimit gjyqësor të zyrtarëve të korruptuar”, ka shkruar Haxhiu.