Nuk përjashtohet shkarkimi i Smakajt

Nënkryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, Fadil Demaku, nuk e përjashton mundësinë e shkarkimit të Drejtorit të këtij institucioni, Bashkim Smakaj. Burim Ramadani nga AAK thotë se Policia dhe AKI-ja i kanë shpallur luftë njëra tjetrës.

Lajme

29/04/2014 16:02

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, kanë thënë se skandalet e fundit kanë zbehur imazhin dhe besueshmërinë e këtij institucioni të sigurisë.

Nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Fadil Demaku, pas përfundimit të mbledhjes së këtij komisioni, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të kërkohet dorëheqja e drejtorit të AKI-së.

“E para, po besoj dhe po shpresoj se vet Kryeministri është duke përcjell me vëmendje zhvillimet që janë duke ndodhur në këtë institucion dhe besoj që do të merren masat e duhura që institucioni të ruhet nga pozicioni në të cilin ka ardhur tani…”.

“Në fakt, nëse ndodhin gjëra të tilla, atëherë nuk do duhej të përjashtohej dhe mendoj që për të rregulluar gjërat, duhet të fillojmë nga lartë”, tha Demaku.

Anëtarët e Komisionit, madje kërkuan që të ftohet edhe Kryeministri në raportim, se çka ka bërë në këto tri vitet e fundit për të mos ndodhur këto skandale, por kjo, sipas nënkryetarit të Komisionit Fadil Demaku, nuk mund të ndodh, pasi që ligji nuk ua lejon që i pari i Qeverisë të jetë fizikisht në komision, por vetëm që të kërkojnë të shohin raportet që i’a dërgojnë zyrtarët e AKI-së.

“Ligji nuk e përcakton që të ftohet Kryeministri në mbledhjen e komisionit, por komisioni ka të drejt që të shoh raportet që vijnë nga AKI-ja për t, normalisht me lejen e Kryeministrit…Po do të kërkojmë të shohim raportet”, tha Demaku.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani tha se Policia dhe AKI-ja që janë institucionet themelore për sigurinë në vend, i kanë shpallë luftë njëra-tjetrës, që rrënjët i ka tek verifikimi, ku disa zyrtarë të lartë të PK-së, nuk e kanë kaluar verifikimin.

“Është tepër e vërejtshme se ka filluar një luftë e hapur mes Policisë së Kosovës dhe AKI-së. Besoj se një luftë e tillë e cila definitivisht i ka rrënjët tek verifikimi edhe i disa zyrtarëve të PK-së, që kanë marrë verifikim negativ, pos që është dëmtuese për institucionin edhe për sektorin e sigurisë në tërësi, është edhe e papërgjegjshme, është qasje skandaloze edhe nga ana e PK-së, edhe nga ana e AKI-së”, tha Ramadani.

Edhe, deputeti i SLS-së, i cili është edhe nënkryetar i dytë i këtij komisioni, Sreten Ivanoviq, tha se për këtë është berngosës fakti që në AKI po ndodhin skandale të shumta.

“Mua si anëtarë i Komisionit dhe Kuvendit me të vërtetë më brengos fakti i ngjarjes së fundit në AKI, sidomos kur është fjala për një segment, shumë të rëndësishme të shoqërisë kosovare dhe të gjitha komunitetet në Kosovë dëshirojnë të kenë një shërbim të tillë i cili duhet të jetë i nivelit regjional dhe europian. Mirëpo, kjo që po ndodh vërtetë krijon dyshime se në këtë agjenci ka probleme”, theksoi Ivanoviq.

Në mbledhjen e sotme, anëtarët e Komisionit u pajtuan që të premten me 2 maj të ftojnë në raportim Drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj, ndërsa, të martën e javës së ardhshme të raportoj

Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së. Kurse, nesër anëtarët e Komisionit do ta vizitojnë AKI-në, ku do t’i shohin ankesat që kanë të bëjnë me verifikimin.