Kuvendi nuk shpërbëhet pa ulëset e rezervuara
Kosova ka një mundësi që zgjedhjet t’i mbajë më 15 qershor nëse LDK pajtohet me zgjatjen e ulëseve për minoritarët, në mënyrë që ata ta votojnë FAK-un dhe shpërbërjen e Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodh, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë, derisa votat e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk mjaftojnë për ta shpërbërë Kuvendin.

Lajme
Lideri i PDK-së dhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi do t\’ia bëjë një ofertë liderit opozitar, Isa Mustafës, kryetar i LDK-së. Thaçi do ta ofrojë datën 15 qershor për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në shkëmbim të votës së deputetëve të LDK-së për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë.
Ky skenar, sipas burimeve të gazetës Tribuna, do të realizohej përmes shkëmbimit të votave të minoriteteve për themelimin e FAK-ut me votat e partive të shumicës për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvend.
Në një situatë të tillë, minoritarët do të votonin edhe për shpërbërjen e Kuvendit, për çka duhet jo më pak se 80 vota. Në të kundërtën, zgjedhjet do të shtyhen për shtator sepse opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë, derisa PDK, LDK dhe AAK nuk i kanë deputetët e mjaftueshëm për ta shpërbërë Kuvendin pa votat e minoritarëve.
Lëvizja Vetëvendosje është kundër shpërbërjes së kuvendit, derisa AKR-ja e Behgjet Pacollit preferon që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë. Kësisoj, për ta realizuar qëllimin që zgjedhjet të mbahen në pjesën e parë të këtij viti, liderit të partisë më të madhe opozitare të Isa Mustafës, do t’i duhet të pranojë ofertën për zgjatjen e mandatit të ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë edhe për një mandat, gjë që është kundërshtuar nga LDK-ja.
Liderët do të takohen të mërkurën në njërën nga ambasadat e Quintit, kanë bërë të ditur burime të kësaj gazete.