Van Persie gëzon Giggsin
Sulmuesi Robin van Persie besohej se kishte përfunduar sezonin. Mirëpo, ylli holandez është rikthyer para kohës nga vendlindja e tij dhe menaxheri i përkohshëm Ryan Giggs mund ta inkuadrojë në fundjavë kundër Sunderlandit.
Sport
Shpresat e Ryan Giggsit për të fituar katër ndeshje të njëpasnjëshme si menaxher i Manchester Unitedit janë përkrahur nga lajmi se Robin van Persie është pranë formës ideale fizike.
Sulmuesi holandez vuajti nga lëndimet gjatë gjithë sezonit dhe nuk ishte pritur të luajë sërish këtë edicion pas dëmtimit të gjurit muajin e kaluar.
Pas sugjerimeve rreth mosmarrëveshjeve mes tij dhe ish menaxherit David Moyes, Van Persie së fundmi ka qëndruar në vendlindjen e tij në Holandë për të rikuperuar sa më parë nga lëndimi.
Por, më herët se sa që priste Moyes, Van Persie është rikthyer në Carrington dhe menaxheri i përkohshëm Giggs refuzon të përjashtojë mundësinë e inkuadrimit të 30-vjeçarit kundër Sunderlandit në fundjavë.
I pyetur rreth rikthimit të Van Persiet, Giggs tha: “Ne duhet të presim dhe të shohim si shkon kjo javë. Ai u rikthye të premten e kaluar dhe ka stërvitur mirë. Ka nevojë për ende punë fizike, por më duket mirë”.