Ancelotti kërkon gol në Allianz Arena
Carlo Ancelotti e ka bërë të qartë se Real Madridi do të shkojë në Allianz Arena për të shënuar gol ndaj Bayern Munichut. Trajneri italian thotë se mentaliteti i fituesit do të jetë më i rëndësishëm sesa taktika, për ta ruajtur avantazhin nga ndeshja e parë.

Sport
Carlo Ancelotti thotë se Real Madridi do të mundohet të shënojë gol në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut.
‘Los Blancos’ e kanë krijuar një avantazh nga ndeshja e parë në Santiago Bernabeu, ku kishin fituar 1:0, ndërsa do të shkojnë në Allianz Arena me qëllim që ta ruajnë këtë epërsi, e pse jo edhe të shënojnë.
“Është e mundshme të avancojmë përpara edhe nëse nuk shënojmë, por synim yni është që ta bëjmë këtë. Kemi shënuar shumë gola në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga dhe ne kërkojmë që ta bëjmë këtë edhe në këtë takim”, u shpreh trajneri italian në konferencë për shtyp.
“Ne mund të luajmë në stile të ndryshme të futbollit, por në pjesën dërrmuese të tyre mundohemi të sulmojmë. Ne mundohemi ta shfrytëzojmë avantazhin tonë të fuqisë fizike dhe teknike”.
“E dimë se do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë. Do të luajmë kundër një ekipi të madh me një avantazh të vogël, kështu që nuk jemi aq budallenj të mendojmë se tashmë jemi kualifikuar”, vijoi ai.