Krasniqi: Behgjet, trego si u bëre president?!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga kolegu i tij i normales, Begjet Pacolli, që të tregojë se si ka arritur të bëhet president. Krasniqi gjithashtu ka dhënë detaje si është tentuar të korruptohet, për ta votuar Pacollin për president.

Lajme

28/04/2014 13:38

Në një shkrim të botuar në KosovaPress, Jakup Krasniqi ka treguar edhe për mospranimin e tij si president, duke përmendur edhe dokumentet e WikiLeaks, ku thuhet se nuk është pranuar nga ambasadori Dell dhe Piter Feith, për shkak të “nacionalizmit” të theksuar.

“Por edhe disa vendorëve u kam penguar, bile nuk kanë pasur vullnet as të isha kryetar i Kuvendit, mbase edhe e kanë kërkuar ndihmën e ndërkombëtareve për të më shkarkuar, por nuk e kishin sigurinë e 80 votave”, ka thënë Jakup Krasniqi.

Krasniqi ka treguar se Pacolli para se të zgjidhej president i Kosovës, ia ka dërguar një njeri të atij, atëherë edhe mik i Krasniqit, që ta korruptonte – t’ia blej votën.

“Unë i pata thënë ati mikut që erdhi te unë me porosinë e Begjetit, po, por vetëm nëse ishte ai i gatshëm që para se t’i merrte paratë, ta lajmëronte Prokurorinë e EULEX-it. Një veprim të tillë, miku im dhe i Begjetit, nuk e pranoi. E kuptova disi. Këtë çështje për një kohë e lash në harresë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se edhe më tej ka dyshime tek Begjet Pacolli.

“Si dje ashtu dhe sot, dyshoj shumë se ti Begjet, e ke blerë postin e të parit të shtetit. Post që ka pasur degradime të shumta, gjatë një jete tepër të shkurtër të Republikës sonë. Si ia ke arritur ngritjes deri në president, ti e din më se miri. Nuk besoj se do ta kesh kurajën ta tregosh ndonjëherë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se Pacolli një kohë ishte shumë i pa kënaqur me kryeministrin e Kosovës.

Për të argumentuar këtë, Krasniqi ia ka përkujtuar Pacollit një bisedë të zhvilluar në përurimin e Aeroportit “Adem Jashari” në Sllatinë.

“Si pa pritur me pate thënë ‘Si me ke lenë me ata kriminel?’ Unë edhe pse nuk e prisja këtë, bile jo në aeroport, të thash ‘nuk më ke pyetur, vetë e ke zgjedhur’. E pastaj më ke thënë ‘në Kuvend po kërkoni të formoni Komision Hetimor për Amortizatorët’. Ke pas thënë ‘asgjë, nuk janë Amortizatorët, sa është i thellë korrupsioni në ketë Aeroport që po e përurojmë sot’”, ka bërë të ditura detajet e bisedës me Begjet Pacollin, Jakup Krasniqi.

“Nuk e di pse më vonë keni ndryshuar mendim për kryeministrin? Çka ka ndodhur në ndërkohë? Mos u kanë premtuar ndonjë gjë të madhe?”, ka përfunduar Jakup Krasniqi.