Çeku: Fundjava do të na gjej me Forca të Armatosura

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka thënë se të gjithë deputetet do të bashkohen për ta votuar shndërrimin e FSK-së në FAK.

Lajme

28/04/2014 13:12

Ai pret që fundjava do t’i gjejë me FAK dhe ministri të Mbrojtjes, raporton KosovaPress.

FSK-ja ka përgatitur tre atashe të sigurisë për t’i dërguar në ambasadën e Shqipërisë, Turqisë dhe Suedisë.

Atashetë të cilët janë emëruar në tri ambasada të Kosovës, janë: nënkolonel Enver Dugolli, në Shqipëri, nënkolonel Bekim Osmani në Turqi dhe nënkolonel Sefer Shyti në Suedi.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, tha se janë kontaktuar vendet pritëse, ku janë qartësuar detyrat dhe obligimet e atasheve, raporton RTK.

“Këta atashe që i kemi propozuar i kemi përgatitur mirë. Ky është një fuqizim i bashkëpunimit ton ëme vendet përkatëse. Ne i kemi zgjedhë pikërisht vendet me të cilat kemi një bashkëpunim shumë dinamik, të frytshëm dhe që është e nevojshme të kemi atashetë tonë pranë ambasadës”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se gjashtë nga atashetë e dërguar deri tani, pesë nga ata janë në vendet anëtare të NATO-s, që flet për një kapitull të ri të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

“Kjo kaptinë e re që është hapë, duhet të shkruhet në të ardhmen përmes vendimeve konkrete, politikave konkrete dhe një nga ato vendime është vendimi i sotëm për dërgimin e tre atasheve të sigurisë. Ne si politikë e jashtme e Kosovës do të kemi prioritet që të prezantojmë vendimin e qeverisë sa i takon themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Vitin e kaluar janë dërguar tre atashetë e parë të sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel dhe në Gjermani.