Alves falënderon banane-hedhësin
Dani Alves e falënderon tifozin i cili ia ‘dhuroi’ bananen, në ndeshjen ndërmjet Villarrealit dhe Barcelonës, në El Madrigal. Futbollisti brazilian thotë se pasi e hëngri atë banane, iu shtua energjia dhe e vendosi fitoren e gjigantit katalunas.

Sport
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves e ka falënderuar tifozin i cili ia hodhi para këmbëve bananen, gjatë fitores 3:2 ndaj Villarrealit, të realizuar nga gjiganti kataluas të dielën mbrëma.
Braziliani e mori frutin dhe e futi në gojë, ndërsa po përgatitej të harkonte nga korneri, në pjesën e dytë të ndeshjes së La Ligas.
Dhe, Alves, i cili harkoi në dy autogolat që i shënuan vendësit, thotë se tifozi në fjalë e ndihmoi që t’ia jepte energjinë e duhur për ta ndihmuar Barcelonën që të kthehej në lojë.
“Nuk e di se kush ishte, por faleminderit kushdo qoftë ai që e hodhi bananen. Ajo më dha mua energji për krosimin e dy golave që i shënuam”, ka thënë Alves pas ndeshjes.
Gjatë 11 vjetësh qëndrimi në Spanjë, Alves ka qenë edhe në të kaluarën ‘viktimë’ e gjesteve të tilla, në periudhën kur luante ne Sevilla, por edhe në Barcelonë.