Suarez, futbollisti i vitit në Angli

Luis Suarez e ka fituar çmimin ‘Futbollisti i Vitit në Premierligë’. Sulmuesi uruguaian i ka realizuar 30 gola këtë sezon dhe u bë vetëm lojtari i dytë i Liverpoolit që e fiton këtë trofe prestigjioz.

Sport

28/04/2014 10:10

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit në Angli. Përfaqësuesi uruguaian i ka realizuar 30 gola këtë sezon, duke e ndihmuar Liverpoolin që ta ndjek titullin e kampionit, për herë të parë pas 24 vjetësh.

Dy ndeshje pa përfunduar sezoni, Suarez e ka ende mundësinë që ta barazojë apo kalojë rekordin e Cristiano Ronaldo e Alan Shearer, të cilët kishin realizuar nga 31 gola në 38 ndeshje të zhvilluara brenda një sezoni.

Përpos golave të shënuar, ish futbollisti i Ajaxit i ka regjistruar edhe 12 asistime, më së shumti në Premierligë.

Suarez e fitoi këtë çmim pas një sezoni të jashtëzakonshëm. 27 vjeçari e nisi sezonin me pjesën e mbetur të dënimit prej 10 ndeshjesh moslojë, pasi e kishte kafshuar Branislav Ivanovicin, ndërsa më parë ishte involvuar në një fyerje raciste ndaj Partice Evras, ku po ashtu ishte dënuar.

Mirëpo, ai i la anash rastet kontroverse dhe ishte mjaft i qetë këtë sezon, me ç’rast u bë futbollisti i dytë i Liverpoolit që e fiton çmimin ‘Futbollisti i Vitit në Premierligë’.