FAK-u zbut LDK-në për vendet e rezervuara
Insistimi që legjislatura aktuale ta marrë vendimin për krijimin e Ushtrisë së Kosovës ka bërë që një pjesë e opozitës ta zbusë qëndrimin e saj karshi kërkesës së minoriteteve për vazhdimin e ulëseve të rezervuara.

Lajme
Meqë FAK-u s’mund të kalojë pa votat e minoriteteve, nga partia më e madhe opozitare- LDK-ja, që deri tani ka qenë kundër kërkesës së komuniteteve, kanë thënë se do ta rishqyrtojnë pozicionin nëse ka ndonjë iniciativë prej Qeverisë, shkruan “Koha Ditore”, në numrin e sotëm.
Për gjetjen e një kompromisi të hënën pritet të takohen liderët e partive politike.
Qeveria e Kosovës po kërkon me çdo kusht që legjislatura aktuale e Kuvendit t’i votojë amendamentet kushtetuese për t’i hapur rrugë krijimit të Forcave të Armatosura, në mënyrë që të mos i lihet përbërjes së ardhshme për shkak të pengesave që mund t’i vendosë Lista Serbe.
Por zëvendëskryeministri Kuçi ka mohuar të ketë ndonjë marrëveshje për ulëset e rezervuara. Sipas tij, serbët vazhdojnë të kenë dilemma për FAK-un.
“Duket se ka konsensus të partive shqiptare për miratimin e amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës për FAK-un, ndërsa ka dilema tek minoritetet”, ka thënë Kuçi. Ai ka përjashtuar mundësinë që FAK-u dhe vendet e rezervuara të votohen në pako.
“Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje për FAK-un dhe vendet e rezervuara. Ato duhet të jenë të ndara dhe nuk ka marrëveshje për këtë çështje”, ka shtuar Kuçi.