Gati për t’u bërë Forca të Armatosura të Kosovës
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ka thënë se FSK-ja është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e kësaj force në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Lajme
Ai ka deklaruar se kjo forcë ka bërë gati plane të detajuara për ta zbatuar çdo vendim të institucioneve qendrore.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Kastrati thotë se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura nuk duhet ta trembë askënd, sepse synimi i kësaj force është stabiliteti dhe paqja në rajon.
“FSK’-ja është plotësisht e gatshme dhe e përgatitur për ta filluar implementimin e vendimeve, pra i ka bërë të gjitha përgatitjet për ta filluar procesin e themelimit të forcës së ardhshme në përputhje me planet dhe rekomandimet përfundimtare të aprovuara nga institucionet përgjegjëse”, ka thënë ai.
Lidhur me reagimin e Serbisë për themelimin e Forcave të Armatosura, Kastrati ka vlerësuar se askush nga fqinjët nuk duhet të ketë drojë, sepse synimi i kësaj force është të gjenerojë stabilitet, paqe dhe siguri në rajon. Madje ai ka shtuar se FSK-ja tashmë ka zhvilluar dhe ka përforcuar bashkëpunimin me vendet fqinje si: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia si dhe vendet e tjera të rajonit me të cilat ka plane të përbashkëta stërvitje dhe mbështetje.
“Synimi ynë për t’u bërë pjesë e NATO-s, për të gjeneruar stabilitet dhe siguri ngushtë me ushtritë e vendeve të rajonit dhe më gjerë, janë dhe do të mbeten prioritetet tona”.
“Nuk shoh arsye për të pasur ndrojtje ndokush nga fqinjët tanë nga themelimi i një force të ardhshme të bazuar në këto parime”, është shprehur Kastrati në “Epoka e re”.